Në Itali, Thomas Strakosha vlerësohet si një ndër portierët më perspektivë dhe një ndër më të mirët në Serie A. Portieri i talentuar i kombëtares sonë, po shkëlqen me paraqitjet e tij duke ngjallur edhe interesin e madh të mediave italiane. Por, rrugëtimi i shqiptarit për t’u bërë portieri titullar nuk ishte aspak i lehtë. Trajneri i tij te ekipet e të rinjve të Lazios, Christian Ferrante në një intervistë për “GinalucaDimarzio”, ka rrëfyer fillimet e karrierës së portierit shqiptar kur Strakosha shkoi te ekipi i Lazios.

“Kishte cilësi të mira fizike, por kishte vështirësi nga pikëpamja teknike dhe emotive. Për Taren ishte si fëmija e tij, më thonte që ta trajtoja mirë. Kishte mik babain e tij. Ka pasur edhe skepticizëm për të, por ka qenë një punë e mirë e Inzaghit dhe trajnerit të portierëve Grigioni. Pas periudhës së provës fola me Taren dhe vendosa që ta mbanim. Ishte shumë punëtor dhe kjo më bindi. Kishte dëshirën për t’i treguar babait se mund të arrijë shumë larg. E vetmja gjë që dinte është që të punonte”, u shpreh Christian Ferrante në rrëfimin e tij.

Edhe pse në vitin 2012 Strakosha ishte vetëm 17 vjeç, ai tregoi pjekuri, sakrificë dhe dëshirë për të kapur majat e futbollit italian.

“Thomas vinte përpara magazinierëve. Priste i vetëm përpara kangjellave. Më pas shkonte në palestër, stërvitje dhe dreka. Më pas vinte stërvitja me shokët, dhe sërish në palestër. Në orën 8 flinte gjumë. Në orën 9 të mëngjesit ishte sërish në fushë. Jetonte në Formelo dhe mbërrinte i pari në stërvitje, aq sa pas pak kohësh i dhamë çelësat e qendrës stërvitore, që të stërvitej edhe i vetëm. Me mua stërvitej dy orë në mëngjes, më pas shkonte në shkollë dhe sërish kthehej në fushë. Pas stërvitjes me grupin, gjithnjë më kërkonte të vazhdonim stërvitjen. Stërvitej 8 orë në ditë dhe kishte uri për të arritur aty ku ëndërronte, ndaj një i tillë duhej marrë patjetër” tregon ai.

“U prit me mosbesim, por kishte një konstrukt shumë të mirë dhe besim të madh në vetvete. Në gabimet e para qante, dëshpërohej, përjetonte keq çdo gabim të vogël. Ai është i tillë, tip i mbyllur në vetvete, aq i zellshëm dhe i përkushtuar në punën e tij, saqë tani njeh në mënyrë perfekte çdo kundërshtar, edhe penalltitë e Dybala”, tha Ferrante.
(i.ç/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb