Për Zlatko Daliç, Kombëtarja kroate është padyshim klubi i karrierës së tij. Deri pak muaj më parë, ish-trajneri i Dinamos ishte një emër thuajse i panjohur nëpër botë, pasi nuk i kishin dhënë mundësinë të tregonte vlerat e tij. Ndaj në fund të ndeshjes, pas penalltisë së Rakitiç që dërgoi Kroacinë në gjysmëfinale, ai shpërtheu në lot për arritjen e përfaqësueses së tij, por edhe të tijën personale, pasi tregoi aftësitë që ka si trajner në skenën më të rëndësishme të futbollit botëror. “Ne kemi patur gjithmonë vështirësi, kështu ka qenë edhe jeta ime. Mua më është dashur të fitoj për gjithçka, por nuk jam i vetmi. Urime djemve për këtë luftë të pabesueshme, urime për punën që kanë bërë. E kemi bërë gjithçka për njerëzit tanë, për Kroacinë. Jemi në gjysmëfinale, jemi krenarë edhe për të gjithë njerëzit në Kroaci, kemi bërë diçka të jashtëzakonshme”, u shpreh ai mes lotëve në fund të ndeshjes.“Ne siguruam edhe dy ndeshje të tjera. Kur erdhëm në Rusi thashë se do të ishte mëkat të mos shihnim Moskën. Tani do të shkojmë atje dhe të shohim se çfarë ndodh”, përfundoi trajneri kroat. (o.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb