ITALI- “Shkoni grinduni në një vend tjetër, largohuni nga dyqani im”. Në rrugën “Turri” në Reggio Emilia, ndonjëherë mjafton një frazë e thënë ashtu kot, drejtuar njerëzve të gabuar për të plasur një sherr i madh që përfundon edhe me thika.

Grushte, shkelma, shkopinj, kaçavida e deri edhe shishe të thyera rë ngulura në brinjë.
Vetëm ndërhyrja e një shqiptari i ka shpëtuar jetën nga tërbimi i pakontrolluar i agresorëve. Gjithë kjo ka ndodhur mbi një 50-vjeçar, tregtar me origjinë kineze mbrëmjen e kaluar rreth orës 19:00, pak minuta para se të mbyllte dyqanin e tij “China market”.

Një nga vendet ku komuniteti kinez preferon të mblidhet. Shumë pak metra më larg, në sheshin “Seçhi”, rreth tridhjetë afrikano veriorë afrohen para barit duke pirë dhe biseduar me zë të lartë. Në një moment, tre prej tyre fillojnë të diskutojnë gjithnjë e më shumë të nxehur deri sa nisin të përdorin dhe duart.

Spostohen, vazhdojnë të zihen dhe mbërrijnë tamam para vetratës së marketit kinez. Zhurma dhe rrëmuja shtohen deri sa pronari i dyqanit, i irrituar vendos të ndërhyjë. Ai del nga marketi dhe përpiqet t’i largojë 3 personat duke i bërtitur që të shkojnë të rrihen diku tjetër.

Kaq ka mjaftuar dhe 3 afrikanoveriorët e kanë harruar sherrin me njeri-tjetrin dhe i janë sulur tregtarit kinez. Njëri me kaçavidë, i dyti me një shkop druri dhe i treti me një rrip.

Tregtari përpiqet të mbrohet si të mundet, tenton të ndalojë goditjen me duar por në fund, në mënyrë të pashmangshme, vjen më e keqja. Por afrikanoveriorët nuk janë ngopur ende. Një nga tre largohet, shkon drejt një shishe bosh birrë e mbetur në shesh, e thyen mbi asfalt dhe ia ngul në brinjë tregtarit, i cili bie përtokë i gjakosur e duke bërtitur për ndihmë. Në atë moment ndërhyn një punëtor shqiptar, i cili futet në mes të tre agresorëve, i merr nga dora shkopin njërit prej autorëve dhe i përzë.

Më pas i ka dhënë ndihmë tregtarit kinez dhe ka njoftuar ambulancën që mbërriti me urgjencë duke e transportuar të plagosurin në spital në gjendje të rëndë por jashtë rrezikut për jetën. Policia italiane ka mbledhur dëshmitë, për të identifikuar dhe kapur agresorët.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb