Tri ditë pas vrasjes së politikanit serb në Veri të Mitrovicës, ende nuk ka asnjë të dyshuar për krimin. Vrasja e Oliver Ivanoviç ndodhi të martën në mëngjes dhe varrimi i tij u bë sot në Beograd.
Edhe pse Policia thotë se po punon me intensitet të madh, ende nuk ka ndonjë person të dyshuar lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviçit.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës veriore, Besim Hoti ka thënë për Express se ende nuk ka persona të dyshuar lidhur me vrasjen e Oliver Ivanoviçit. “Nga hetuesia ende nuk kanë lajmëruar se ka ndonjë person të dyshuar, por për rastin po punohet me intensitet të madh”, tha Hoti. Të mërkurën, policia kishte arritur të sigurojë pamjet e kamerave që ishin të vendosura në selinë e partisë së Oliver Ivanoviçit, pikërisht aty ku ndodhi vrasja në mëngjesin e së martës. Mirëpo, ende nuk është bërë e ditur nëse ato kamera të vendosura në ndërtesën e selisë së partisë së SDP’së, kanë kapur momentin e vrasjes së liderit të kësaj partie.

Hoti tha për Express se policia po punon që rasti të zbardhet sa më shpejtë. Sipas rezultateve të autopsisë, që u kryen mbrëmjen e ditës kritike, doli se Ivanoviç u vra me gjashtë plumba, mirëpo njëri nga ta, për të, ishte fatal, shkruan Express. Vetura nga e cila dyshohet se kryesit kanë shtënë drejt politikanit serb, u gjet po atë ditë, e djegur në Zveçan. Është arritur të identifikohet edhe pronari i veturës, i cili del se është i vdekur. Oliver Ivanoviç u varros të enjten në Beograd, në varrezat e reja.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb