Deputeti “i rikthyer” në parlament, Tritan Shehu në një intervistë për “Gazetën Shqiptare” ka pohuar se pavarësisht pakënaqësive të disa individëve, Partia Demokratike është e hapur dhe ka vend për të gjithë. Sipas Shehut, “ministrat teknikë” e patën të pamundur të frenonin deformimin e votës më 25 qershor. Tritan Shehu ju përgjigj pyetjeve të gazetarit dhe ish-diplomatit Genc Mlloja.

  1. Z.deputet, së pari, më lejoni t’ju uroj për rikthimin tuaj në parlamentin shqiptar. Më lejoni të mësojmë diçka më shumë çfarë shkoi mirë për ju e keq për rezultatin e ulët të 25 qershorit?

– Së pari, ju falënderoj për urimet që më bëtë dhe dua ta nis këtë intervistë nga pika e dytë që ju thatë, domethënë që rezultati i 25 qershorit nuk ishte ai i pritshmi. Po, ishte rezultat larg pritshmërisë që mund të kishim, jo se nuk arritëm të jemi maxhorancë, por veçanërisht për numrat që dolën nga këto zgjedhje. E gjitha kjo që ka ndodhur, po na bën të mendojmë thellë për problemet e ndryshme. Unë mendoj se shkaqet lidhen me dy elementë: së pari, elemente që lidhen me PD, organizimin e saj, me strukturat e saj, me rolin e individit deri tek anë- tari i PD-së, si baza e motorit të saj, sepse kjo parti është bazuar tek individi i lirë, aktivist për të realizuar programet dhe idealet tona. Prandaj duhet të përqendrohemi në këto elemente të brendshme të partisë, që krahas forcimit të strukturave do të forcojnë rolin e anëtarit të saj, duke bërë përpjekje të zgjerohesh, të afrosh të tjerë dhe të jesh i pranishëm në të gjithë territorin e vendit

Elementi i dytë qëndron jashtë PD-së, me ato probleme që lidhen me deformimin e demokracisë në Shqipëri, probleme që çojnë ne deformimin e votës. Kjo ka të bëjë me disa elementë, e mbi të gjitha, me një ambient mbytës në këtë periudhë, autokratik, ku përveç tjerash sundon krimi, droga, korrupsioni me shuma dhjetëra milionëshe që qarkulluan për të blerë votën e individit, duke përfituar, pa dyshim, nga varfëria dhe nga një situatë e vështirë që po kalojnë qytetarët shqiptarë. Në këtë fushatë elektorale u duk qartë blerja e votës, deformimi i saj nga presioni, përdorimi si presion elektoral i drogës së kultivuar dhe akoma të fshehur nga fshatarët, që mbasi kanë u paguar haraçin njerëzve të shtetit, tashti terrorizohen nga ata. Patjetër ishte dhe një presion i madh mbi administratën, mbi qytetarët, duke krijuar një atmosferë mbytëse. Pra, analiza fillon nga vetë PD-ja me qellim ristrukturimin e saj, për të vazhduar me problemet e funksionimit të demokracisë në Shqipëri, gjë për të cilët pati edhe një raport të vlefshëm nga ministrat teknikë.

Ju filluat nga e ashtuquajtura “çadra e lirisë” me thirrjen: “Republike e Re”, me një entuziazëm të paparë. Pse ndodhi “shfryrja” e saj, çfarë çoi te marrëveshja jo e qartë Rama- Basha?

– Unë kam një perceptim të ndryshëm mbi këto elemente. Së pari, asnjë nuk duhet të fajësoj çadrën për rezultatin negativ tonin në zgjedhje. Çadra ishte një opsion, për mua, mjaft pozitive, ndihmuese, gjallëruese për PD dhe transparence. Ajo luajti një rol të rëndësishëm, duke bërë të qartë para opinionit publik shqiptar dhe atij ndërkombëtar gjendjen reale të Shqipërisë: drogën, sundimin e krimit, rrezikun e shit-blerjes së votës, përdorimin e administratës.

Çadra nuk i krijoi këto, i evidentoi. Së dyti, çadra theu terrin informativ që ekzistonte dhe kishte rrethuar PD-në. Pra, bëri që PDja të ngrejë këta probleme dhe t’i bëjë të njohura. Ajo arriti sukses, në masën më shumë se 70 për qind kërkesat iu realizuan, kjo tregon se problemet qëndronin. Por çadra nuk u kthye në atë që prisnim, ajo nuk u kthye në një lëvizje popullore për të sjellë përmbysje në Shqipëri, por ngeli në një simbol shumë pozitiv.

Ju thatë që çadra çoi në një marrëveshje. E vërtetë është! Kishte dy rrugë ose nuk arrihej marrëveshje dhe PD-ja nuk hynte në zgjedhje, gjë që kushdo e kupton se do të ishte një vetëvrasje, një izolim i thellë i PD-së edhe ndërkombëtar, ose do arrihej një marrëveshje sa më e favorshme kjo, ku nuk mund të fitohej çdo gjë Sa i përket rezultatit të marrëveshjes ka vend për diskutim se për shembull ata 6 apo 7 ministra me dinjitet, që tashmë kanë dhënë dorëheqjen, nuk mund të bllokonin të gjithë atë makinë, nuk mund të ndalonin revanshin e pushtetit për të deformuar votën, aq më shumë që u sabotua në zbatim nga Rama. Ajo marrëveshje ishte një përpjekje për t’u bërë pengesë ndaj revanshit të krimit dhe të autokracisë, pavarësisht sa e arriti qëllimin. Në të njëjtën linjë kjo marrëveshje synon të zgjidhi dhe disa probleme në të ardhmen, që lidhen me vazhdimin e luftës për dekriminalizimin e institucioneve e të parlamentit ku ka akoma persona të inkriminuar. Po kështu me reformën zgjedhore, me votimin elektronik, gjera që kërkojnë një dakordsi të gjerë. Mendoj se ajo marrëveshje nuk kishte ndonjë gjë të fshehtë, ajo marrëveshje nuk ka asnjë ‘shtrigë’ brenda saj. Më një fjalë ishte një marrëveshje e realizuar midis kryetarëve të dy forcave politike kryesore. Rëndësi sot ka fakti që PD do të bëjë një opozitë të fortë demokratike, në funksion të qytetarit, vlerave të integrimit.

Nga ana tjetër, kemi një grup figurash të pakënaqura të hierarkisë së PD, që bojkotoi edhe ri konfirmimin e kryetarit Basha. A mund të ketë një parti të re nga ky fraksion?

– Së pari, nuk dua të paragjykoj kolegët e mi për vendimet që mund të marrin. Por dua të theksoj se PD është një parti e hapur dhe aty të gjithë mund të shtrojnë problemet, brenda institucioneve të saj për të arritur pastaj në vendime të përbashkëta. Padyshim që unë kuptoj edhe anën emocionale që kanë shumë kolegë kur nuk janë në parlament dhe unë e kam provuar vetë këtë. Por duhet të dominojë vullneti dhe lënë hapësira për të bashkëpunuar në vazhdim të projektit tonë të përbashkët brenda PD-së. Unë mendoj se PD ka hapësira për të gjithë, edhe për qëndrime të ndryshme, sepse është një parti e qendrës së djathtë me nuanca brenda një programi të gjerë. Pra, pikësynimi kryesor është që jo vetëm të qëndrojmë kaq sa jemi, por dhe të afrojmë të tjerë. Kjo bëhet me përpjekje të përbashkëta brenda partisë, qëndrime etike reciproke, pavarësisht je apo nuk je në parlament. Jo domosdoshmërish qenia në parlament kushtëzon të bërit politikë.

Intervisten e plote mund ta lexoni ne GSH.al: http://www.gsh.al/2017/08/20/tritan-shehu-6-7-ministra-nuk-e-bllokonin-dot-makinerine-e-deformimit-te-votes-krimi-eshte-ne-parlament/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: