Nga: VALENTINA MADANI
TIRANE – Tritan Shehu një prej ish-themeluesve të PD-së gjykon se opozitës nuk i mungon asgjë për t’u rikthyer sërish te fitorja pas humbjeve të herëpashershme të viteve të fundit. Sipas tij prova e madhe për të djathtën është pikërisht pas disa muajsh kur zhvillohen zgjedhjet parlamentare. Debatet brenda grupit parlamentar të PD-së z. Shehu i sheh si normale ndërsa përmend në këtë intervistë për “Gazeta Shqiptare” se kur ai ishte kryetar dhe sekretar i përgjithshme debatet në PD ishin shumë herë të zjarrta e më të ashpra. Veçse Tritan Shehu ka një merak se duhet kritika më të forta ndaj qeverisë. Dhe thotë Shehu të mos të merren me kreun Basha pasi në bindjen e tij askush nuk mund t’ia marrë partinë pasi është kryetar i zgjedhur që gëzon respekt, ndaj nesër do të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit.
Z. Shehu kohët e fundit, PD-ja po njeh humbje të njëpasnjëshme në zgjedhje referuar edhe rastit të zgjedhjeve të pjesshme në Dibër. Çfarë po ndodh aktualisht me PD-në?
Unë nuk mendoj kështu si ju. Unë gjykoj se PD-ja po përgatitet në tërësi për zgjedhjet e ardhshme politike me shumë seriozitet dhe e vendosur në fitoren e tyre. Pra, prova e madhe elektorale për ne është mbas disa muajsh. Ndërkaq unë nuk kam konstatuar rezultate negative elektorale në vazhdim siç thoni ju, përveç atij të Dibrës, që ka nevojë për një interpretim korrekt e konkluzione, të cilat duhet t‘i shërbejnë të ardhmes. Por mos harrojmë se ato ishin veçse zgjedhje lokale, në vetëm një bashki, ku kështu u koncentrua e gjithë “makina” qeverisëse në funksion të tyre.
PD-ja humbi shumë thellë në Dibër…
Unë thashë që çfarë ndodhi në Dibër duhet analizuar me seriozitet e nxjerrë konkluzione, por nuk duhet tragjedizuar. Duhet të jemi racionale e me mendje të kthjellët në analizat që bëjmë, pa kaluar në ekstreme e panik. Ndryshe do të binim në vorbullën e atyre që duan të na fusin në një spirale të tille, pra të kundërshtarëve tanë politike.
…Dhe për cilat shkaqe?
Elementët e hollësishëm do të dalin nga analiza që do të bëhet së pari, nga dega e jonë e Dibrës, zgjedhje të së cilës ato ishin. Sidoqoftë meqë ju pyesni, unë mendoj se janë disa shkaqe, duke filluar nga koncentrimi i plotë vetëm aty i të gjithë mekanizmave shtetërore të të gjithë vendit, gjë që nuk mund të bëhet në zgjedhjet politike, kur fryma e ndryshimit do të jetë e qartë kudo në të gjithë vendin. Aty ishin të gjithë potencialet e maxhorancës dhe të shtojcave të tyre, ligjore e të pa ligjshëm, politikanë e banditë. Ishin sarandjotë, peqinas, durrsakë, shkodranë etj., etj., pra i gjithë arsenali shtetëror e partiak i majtë, së bashku me disa pseudo të djathtë. Dhe kjo nuk është e gjitha. Aty u përdorën pagesa e presione për votat, u përdor dhe një mekanizëm i ri, kanabisi, të gjitha këto të koncentruara në një zonë me popullsi jo të madhe dhe shumë të varfër. Kjo u vërtetua dhe nga rezultati prej 4150 votash në favor të PS-së, rezultat që e kalon shumë atë që mund të konsiderohej fitore normale dhe që konfirmon mendimet për një proces larg normës. Megjithatë e theksoj të tilla mjete nuk kanë eficiencë në një fushatë kombëtare politike kur kryefjala është ndryshimi. Përveç këtyre dua të them se pa dyshim pati edhe probleme serioze që lidheshin me degën e PD-së në Dibër. Kishte çështje që lidheshin me forcën organizuese të dobët të saj, gjendjen e strukturave aty, pakënaqësi nga gabime të qeverisjes sonë të mëparshme lokale, që siç duket nuk ishin shuar nga skandali i Shukriut. Pra, koleget e atyshëm, deputetë e kryesi së bashku me përfaqësues nga qendra, duhet të realizojnë analiza me qetësi të gjërave, për të nxjerrë konkluzione të dobishme me tej, këto jo vetëm për Dibrën.
Gjithsesi, çfarë e pengon tjetër PD-në të rikthehet sërish tek fitorja?
Me vjen keq po ju vazhdoni të pyesni në të njëjtën linjë mendimi. Unë gjykoj ndryshe. Mendoj se nuk na pengon asgjë për të fituar zgjedhjet politike. Dhe jam i bindur se kjo do të ndodhë. Qeverisja është në pikat më të ulëta të mundshme, në të gjitha treguesit e saj. Po të shikosh sot vendi ka probleme të mëdha në të gjithë treguesit, qoftë ekonomikë, sociale, të korrupsionit e primi. Nga ana tjetër, PD-ja është e angazhuar në punët e veta organizative të brendshme me seriozitet dhe në përpjekjet politike në tërësi. Ne jemi tërësisht të impenjuar për të përballuar me sukses betejën e ardhshme politike.
Atëherë pse ka kaq shume debat brenda vet Partisë Demokratike?
Personalisht do të dëshiroja të kishte edhe më shumë. Debati brenda një force politike është veçse pozitiv e forcues. Pra, mua nuk më shqetëson debati. Ka ardhur momenti të kemi edhe më shumë debat rreth alternativave tona, programeve sektoriale, në formë shkëmbimi mendimesh për të përpunuar më të mirat. Dhe më tej kjo duhet nxjerrë jashtë partisë në diskutimet me specialistët dhe elektoratin. Pra, unë gjykoj se duhet të transmetojmë edhe më shumë alternativa, ide zhvillimi duke zënë këto një peshë gjithmonë e më të madhe të luftës sonë pulitke edhe ndaj kritikave e goditjeve politike. Veçanërisht, në këtë fazë që jemi, kjo është shumë e rëndësishme. Sa më tepër i afrohemi zgjedhjeve aq me të rëndësishme bëhen alternativat tona konkrete, zhvilluese e sektoriale. Pa dyshim duhen dhe kritikat e ashpra për këtë qeverisje të pa aftë, që nuk mbajti asnjë nga premtimet e saj. Por të mos harrojmë se tashmë njerëzit këtë e kanë kuptuar qartë. Ajo që duhet të kuptojnë po kaq qartë është se çfarë dimë ne, çfarë jemi në gjendje të bëjmë dhe çfarë do të bëjmë nesër mbas fitores politike. Vetëm kështu pakënaqësitë e mëdha ndaj maxhorancës do të arrijnë të kthehen në vota për ne, që të na japin fitoren. Ndryshe pakënaqësitë do ngelin kaotike, të pa konkretizuara dhe pa vlerë zhvilluese politike.
Si i shikoni zërat kritikë brenda grupit parlamentar demokrat?
Nuk më krijojnë asnjë shqetësim në këtë sens. Janë normale për çdo grup parlamentar demokratik në botë. Unë kam qenë kryetar dhe sekretar i përgjithshëm i PD-së dhe mund të them se debatet që bëheshin atëherë në grupin parlamentar ishin shumë më të zjarrta e të ashpra disa herë, se ato që bëhen sot.
Atëherë ku qëndron ndryshimi se për atë periudhë që flisni ju pati dhe largime nga PD-ja?
Ndryshimi qëndron në një dukuri tjetër shumë negative e jo të moralshme të sotshme: botimi sistematik në formë procesverbalesh të atyre që thuhen aty, në media. Kjo nuk ndodhte si metodë vite më parë dhe tregon një mungesë konsistence e kurajë nga ata që veprojnë në këtë mënyrë okulte. Vërejtjet, nëse dikush dëshiron t’i bëjë, mund të deklarohen direkt mbas mbledhjeve me figurë e emër. Nuk ka pse të shpërndahen nga “anonimë”.
Pse sulmohet kaq shume prej disave kryetari Lulzim Basha? Pse ai është bërë kaq i kritikueshëm?
Nuk me duket kështu. Z. Basha është në kryerje të funksioneve të tij si kryetar dhe në marrëdhënie bashkëpunimi me të gjithë faktorët e PD-së. Siç e thashë unë kam parë debate edhe më të forta e i kam konsideruar normale e pozitive. Rëndësi ka të jenë të sinqerta e konstruktive.
Ju sa besoni në seriozitetin e kritikave të Eduart Selamit dhe Majlinda Bregut dhe a kane të drejtë ata kur vënë në diskutim pozicionin e z. Basha si lidership i PD-së?
Nuk më rezulton diçka e tillë për aq sa unë kam ndjekur ato diskutime. Megjithatë këtu dua të theksoj se Z. Basha është kryetari i zgjedhur i PD-së, i respektuar dhe besoj të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit. Unë personalisht e vlerësoj atë dhe mënyrën se si ai po e drejton PD-në në këto periudha me shumë vorbulla.
Majlinda Bregu është shprehur se PD-ja ishte më mirë me Sali Berishën se me Lulzim Bashën. Ju si mendoni?
Kam dëgjuar diçka të tille, por nuk e di se në çfarë konteksti është thënë dhe nuk i kam kushtuar ndonjë vëmendje. Aq më shumë që nuk kam asnjë dëshirë të komentoj kolegët.
Dakord, por si e shikoni krahasimin mes z. Berisha dhe z. Basha?
Duke dashur të them mendimin tim, dua të evidentoj faktin që gjithsekush ka meritat e vlerat e tij dhe krahasimet nuk mund të jenë sempliciste. Berisha është lideri i ynë historik, promotori i lëvizjeve demokratike e i lindjes se demokracisë në vendin tonë. Pa dyshim, ai është edhe aktualisht një njeri me vlera të mëdha intelektuale dhe ka një pozicion të rëndësishëm jo vetëm për PD-në e vendin, por dhe për influencat rajonale të tij. Por Berisha duke rritur vlerat e tij dha dorëheqjen mbas humbjes së 2013-ës. Sot kryetari i ynë është Basha, që di të respektojë potencialet e djeshme e të sotme të PD-së. Gjykoj se Z. Basha përfaqëson sot vlerat e aspiratat tona politike e morale. Dhe ai respektohet nga ne si i tillë. Këto janë rregullat e lojës në një ambient demokratik siç është PD-ja, që duhen kuptuar e respektuar nga të gjithë ne, se kështu na çojnë në drejtim të forcimit e fitores. Çdo deformim i këtyre rregullave veçse dobëson forcën përkatëse politike.
Z. Jemin Gjana është shprehur se ka tentativë në PD për t’ia marrë partinë Lulzim Bashës. Besoni se ka ambicie të tilla brenda grupit të deputetëve?
Unë e thashë dhe më lart mendimin tim për këto fenomene.
Kujt i intereson një situate konfliktuale në PD dhe si mund të dilet nga kjo gjendje e partisë?
Po e theksoj përsëri. Unë në përgjithësi nuk shikoj asnjë situatë konfliktuale. Ajo nuk do t’i interesonte as PD-së e askujt nga ne. Mund të këtë si kudo individë konfliktuale, por jo situatë konfliktuale në PD. Si mund të minimizohen edhe këto. Ka vetëm një rrugë, shtimi i peshës specifike në diskutimet e debatet tona, përfshi edhe në ato me elektoratin, në media e kudo, të alternativave të vërteta zhvilluese, argumenteve e programeve të mençura e intelektuale. Sa më shumë mençuri, eksperiencë e dije të përfshihet në diskutimet, aq më pak do ketë vend për mediokritetin, smirat, zhargonin e thashethemet.
Cilin do të konsideronit problemin madhor të drejtimit të vendit sot nga maxhoranca?
Të them të drejtën është e vështirë të përmend vetëm një problem të tillë, sepse siç e thashë janë të tilla pa fund. Vendi po qeveriset pa vizion, pa një strategji afat gjatë zhvillimi. Ajo që dominon në maxhorancën e majtë janë konceptet populiste, anarkiste, arrogante në drejtim. Dhe kjo është në përgjithësi, si dhe në sektorët e veçantë. Kjo ka sjellë pasoja të rënda në ekonomi, investime, rritje të korrupsionit, zgjerim të krimit etj.
Le të shikojmë vetëm një fenomen tragjik, vendi është mbuluar me drogë, me kanabis. Dhe kjo po realizohet kudo, nëpërmjet grupeve kriminale të lidhura me strukturat shtetërore që duhet ta luftonin këtë fenomen. Nuk mund të merrte të tilla përmasa kjo gjë pa lidhje të tilla me krimin. Ndërkaq dikush nga afër qeverisjes po flet përsëri për “liberalizim” të kanabisit, veçse për të nxitur e justifikuar këtë aktivitet kriminal me pasoja tejet negative për të sotmen e të ardhmen e vendit.
Absurditeti dhe konfuzioni i majtë sot ka arritur kulmin. Duke mos pasur asnjë ide racionale për zhvillimin e vendit, kjo kërkohet të bëhet me cinizëm nëpërmjet tri rrugëve shkatërruese për ne: liberalizimit të drogës, prostitucionit e importit të mbeturinave. Pra, e ardhmja jonë shikohet vetëm nëpërmjet këtyre veprimtarive që jo vetëm bien ndesh me interesat e vendit, por dhe janë tërësisht kriminale apo përmbajnë elementë të tillë në vetvete. Të tilla propozime kanë në çdo plan pasoja negative për vendin, imazhin tonë, për devijimin e vëmendjes e aspiratave të qytetarëve drejt rrugëve të rrezikshme e me pasoja të thella dëmtuese afatgjatë.
Ajo që mund të zhvillojë vendin tonë janë: politikat e qarta financiare të taksave të ulëta, lehtësi për investimet, zhvillim të infrastrukturës së vendit, ulje të procedurale burokratike, një ambient sa më larg korrupsionit, krimit etj. Mjafton vetëm këto që thashë më sipër për të kuptuar realitetin ku jemi, problemet e mëdha që kemi dhe pa aftësinë e maxhorancës për të përmirësuar gjendjen.
Në këto kushte çfarë duhet të bëjë opozita për të rifituar besimin e shqiptarëve?
Ne duhet të tregohemi të aftë për të transmetuar ide të qarta zhvillimi, të bazuara mbi realitetin, interesat e vendit dhe të koordinuara me partnerët tanë ndërkombëtarë. Dhe këtë duhet ta bëjmë kudo e kurdoherë në këtë periudhe paraelektorale që jemi. Vetëm kështu ne do të forcojmë besimin e qytetarëve ndaj nesh dhe do të konsolidojmë pozitat tona politike.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: