TIRANË- Tritan Shehu, një nga eksponentët e PD ka deklaruar sot për “News24” se opozita nuk ka vënë në dyshim pjesëmarrjen në zgjedhje por ka kërkuar të realizohen të gjitha parametrat për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Nga çadra e ngujimit para Kryeministrisë, Shehu tha se protesta nuk erdhi vetëm nga vullneti i PD-së por nga kërkesa në rritje e qytetarëve për të protestuar për problemet e vendit.

“Jemi në një protestë mjaft të rëndësishme, masive të qytetarëve që lindi jo vetëm nga vullneti i PD-së por nga kërkesa në rritje e qytetarëve për të protestuar për problemet e mëdha që ka vendi. Për shumë elementë që kanë cenuar jetën e qytetarëve, mirëqenien, sigurinë e tyre dhe mbi të gjitha besimin e tyre për të ardhmen. Protesta e djeshme më e madhja e viteve të fundit. Kërkon të nxjerrë nga këto probleme dhe të përcaktojë hapat e mëtejshme që qytetarët të votojnë sipas interesit të tyre”, tha Shehu.

Për të, një qeveri teknike do krijonte mundësinë për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Opozita nuk ka vënë në dyshim pjesëmarrjen në zgjedhje. Por ka deklaruar se do të hyjë në zgjedhje duke realizuar të gjitha parametrat. Krijimi i një qeverie teknike do krijonte këto parametra për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Shehu.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: