ITALI- “Një emocion i papërshkrueshëm”. Kështu u shpreh Ermal Meta sapo fitoi festivalin ‘Sanremo 2018’.

Këngëtari shqiptar në bashkëpunim me Fabrizio Moro mbërthyen pas vetes publikun me këngën ‘Non mi avete fatto niente’, -‘Nuk më keni bërë asgjë’, ndërsa Meta çmimin ia dedikoi Mescalit, shtëpisë së tij diskografike.

Kënga është një himn kundër terrorizmit dhe në tekstin e saj përfshihen shumë raste të ndodhura në të shkuarën, por që lajtmotiv mbetet vargu “nuk më keni bërë asgjë”, që përbën edhe titullin e saj.
Tashmë është publikuar edhe videoklipi i këngës, që ilustron në imazhe qytetet e rrënuara nga bombardimet, homazhet e njerëzve në vendngjarje dhe fëmijët e vegjël, si simbol i mosmposhtjes. Mes gjuhëve nga e gjithë bota, në videoklip shfaqet edhe shqipja, (në minutën e 2:42-2:49).

Për të tretin vit radhazi kantautori shqiptar Ermal Meta u ngjit në skenën e teatrit Ariston, por kësaj here në një duet me këngëtarin e njohur italian Fabrizio Moro. Kënga përcjell një temë mjaft të rëndësishme e aktuale siç është frika ndaj rrezikut terrorist. “Kënga jonë është një rebelim i njerëzimit ndaj frikës së terrorizmit”, kanë deklaruar dy këngëtarët.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: