Nga: PETER HILLE
Dymbëdhjetë ditë pas zgjedhjeve, presidenti i zgjedhur i SHBA-ve fton dy dyzina moderatorësh dhe menaxherësh të televizioneve … të mëdha të vendit në kullën e tij në New York. Për përmbajtjen e takimit bihet dakord që të mbahet heshtje. “Një komandë e maskuar pushkatimi ishte e gjitha”, citon njërin prej pjesëmarrësve, revista bulevardeske “New York Post”. Trump-i i pati sharë si gënjeshtarë të pranishmit. Veçanërisht “CNN” pati marrë një “dajak” të mirë. “Unë e urrej stacionin tuaj”, thuhet se ka thënë Trump-i, i cili në fushatën elektorale lexoi dhe dëgjoi shumë gjëra negative për veten, jo vetëm nga stacioni i Atlantës, që e kapi shpesh duke gënjyer.

Armiku i preferuar: “New York Times”
A u thanë vërtet tamam kështu këto fjalë? E mundur të paktën është. Për “crooked media”, për mediet e korruptuara, për “shtypin e gënjeshtrave”, (edhe tek agjitatorët në gjermanisht përdoret ky koncept), lexon në vargun e “Twitter”-ave të Trump-its. Më shumë se 60 herë ai ka sulmuar vetëm “New York Times”, që kur shpalli kandidaturën vitin e kaluar. Trembëdhjetë ditë pas zgjedhjeve, Trump-i u drejtohet me një mesazh me video bashkatdhetarëve të tij. Ai nuk ka thirrur një konferencë shtypi që kur ka fituar në zgjedhje. Gazetarë të shtëpive mediatike të ndryshme deri tani nuk kanë pasur mundësi që t’i bëjnë pyetje në fushë të hapur. Shumë e pazakontë, për presidentët e zgjedhur të SHBA. “Ai është një sipërmarrje mediatike më vete dhe nuk ka nevojë për shtypin”, thotë Mary E. Stuckey, profesore e Shkencave të Komunikimit në Georgia State University në Atlanta. “Ai nuk duket se i respekton shumë rregullat e demokracisë, prandaj nuk respekton as rolin e gazetarëve”.

Ndryshimi i komunikimit me masat
Që nën drejtimin e Obamës, puna me mediat e Shtëpisë së Bardhë ndryshoi masivisht. Obama është me siguri Presidenti i parë i SHBA-ve që arriti të komunikojë me popullin përmes internetit, fare pa filtrin e shtëpive tradicionale mediatike. Më shumë se 12 milionë njerëz e ndjekin “POTUS” në “Twitter” dhe gati 20 milionë vënë re kur Obama shihet sërish me video gazmore në “Youtube”. “Kurse Trump-i thjesht i injoron kanalet tradicionale”, thotë Stuckey. Obama ka mbajtur të paktën rregullisht konferenca shtypi, u përgjigjej pyetjeve në intervista dhe shoqërohej vazhdimisht nga gazetarët në “Press Pool”. Katërmbëdhjetë ditë pas zgjedhjeve. Këtë të shtunë, Trump do të takojë gazetarë dhe menaxherë të “New York Times”-it, përpara se të fluturojë për pushimet e Thanksgiving për në Palm Beach. Por pak orë para takimit, Trump-i e anulon atë, përmes “Twitter”-it. “‘New York Times’ kishte kërkuar ndryshime në rrjedhën e takimit – thotë ai. – Kjo nuk është e sjellshme”, mendon Trump. Eileen Murphy, zëvendësshefe e komunikimit të gazetës nga ana tjetër tha se nuk ishin “Times”, por ekipi i Trump-it, ai që kishte kërkuar ndryshime. Midis të tjerash, që asgjë nga takimi të mos depërtonte në publik. Pastaj, tërheqja nga tërheqja: takimi megjithatë do të zhvillohet, duke përfshirë edhe intervistat. Gjendja e marrëdhënieve midis mediave dhe Trump-it mund të quhet e ndërlikuar. “Ai nuk shikon shkak që ta ndryshojë sjelljen e tij”, thotë Stuckey. “Deri tani kjo ka funksionuar mirë. Vetëm kur të mos funksionojë më, ose kur kundërshtimi të bëhet shumë i madh, atëherë do të shohim një Trump tjetër”./DW

(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: