SHBA– Në fjalimin e tij të parë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në asamblenë e përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Donald Trump paralajmëroi botën për kërcënimin që vjen nga disa vende të papërgjegjshme si Koreja e Veriut dhe Irani.

Duke iu referuar liderit të Koresë komuniste, Trump deklaroi se Kim Jong Un ka nisur një mision vetëvrasës.

Trump deklaroi se pushtetet autoritare rrezikojnë liritë, ndërsa rrjetet kriminale që trafikojnë drogë, armë dhe njerëz, kërcënojnë kufijtë tanë.

“Nuk presim që të gjitha vendet të ndajnë të njëjtat pikëpamje me ne, por të gjithë vendet duhet të respektojnë interesin e popullit të tyre. Në Amerike nuk përpiqemi t’ua imponojmë mënyrën tonë të jetesës të gjithëve, por secili të mund të zgjedhë mënyrën e tij sipas dëshirës. Në Shtetet e Bashkuara udhëheq populli, sepse populli është i pari. Të gjithë popujt meritojnë një qeveri që kujdeset për mirëqenien e tyre”, deklaroi presidenti amerikan gjatë fjalimit të tij në OKB.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë nënvizoi se Shtetet e Bashkuara do të jenë një vend mik me të gjithë, por së pari me vendet aleate.

“Qytetarët tanë kanë paguar çmimin për të mbrojtur lirinë tonë dhe liritë e të tjerëve dhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, deklaroi presidenti amerikan.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb