SHBA- Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e sulmoi Iranin duke e quajtur “regjim mashtrues” që udhëhiqet nga liderë “fanatikë”.

Megjithatë, ai nuk e tërhoqi SHBA-në nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015, midis Iranit dhe gjashtë fuqive botërore.

Me këtë marrëveshje, Republika Islamike ka kufizuar aktivitetin e saj bërthamor, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Trump, gjatë fjalimit të shumëpritur për Iranin, shpalli sanksione të reja kundër Gardës Revolucionare të Iranit, me urdhrin ekzekutiv të terrorizmit global.

Shumë vëzhgues e kanë pritur këtë, ndërsa Teherani ka paralajmëruar se sanksionet të çojnë në “përgjigje proporcionale” nga ana e tij.

Edhe pse nuk u tërhoq nga marrëveshja bërthamore, Trump tha se SHBA rezervon të drejtën për t’u tërhequr nga ajo në çdo kohë.

Ai tha se Teherani po e shkel “frymën” e saj, pjesërisht me testimet e vazhdueshme të raketave balistike dhe me mbështetjen për ekstremistët në Lindjen e Mesme.

Për të neutralizuar veprimet e Iranit në rajon, Trump tha se i bën thirrje Kongresit të forcojë një ligj të veçantë të SHBA-së – i njohur si Akti për Shqyrtimin e Marrëveshjes Bërthamore me Iranin.

Kongresi i ka 60 ditë kohë për të shqyrtuar ndonjë ndryshim eventual.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: