* Vrasësi dyshohet se ndodhej në makinë me ta
* Policia: Autorët dyshohet se ishin 3
* Policia ofron 30 mijë euro shpërblim për informacion. Në dispozicion ky numër telefoni 0694103984
* Ja tragjeditë e turistëve çekë në Shqipëri

SHKODER- Detaje të reja rrënqethëse dalin në dritë për vrasjen makabre të dy turistëve çekë. Pas këqyrjes së trupave dhe ekspertizës mjeko-ligjore, mësohet se dy turistët janë qëlluar me nga një plumb pas koke. Këtë gjë e ka konfirmuar edhe Zv/drejtori Përgjithshëm i Policisë, në seksionin e Krimeve të Rënda, Ardian Çipa. Në automjet sipas Çipës janë gjetur gjurmë të autorit.

Grupi hetimor, i kryesuar nga Prokurori Besnik Cani, ka ngritur dyshimet se autori ka qenë udhëtar në makinën e çekëve, të cilët e kishin marrë nga Dukagjini, për t’iu drejtuar Shkodrës, ndërkohë që mësohet se ka bashkëpunuar edhe me persona të tjerë, që qëlluan me breshëri ndaj automjetit në kohën që ata ishin vrarë brenda.

Burime pranë policisë bëjnë me dije se çifti çek kishin marrë me vete në automjetin e tyre sapo u nisën nga Dukagjini për Shkodër edhe një person, që thuhet të ishte si udhëtar. Nuk dihet ende identiteti i tij dhe as rrethanat në të cilat ai ka hipur në mjetin e çekëve. Pasi kishin bërë pak rrugë, ai i ka qëlluar nga armë në kokë, fillimisht burrin e pastaj gruan. Për këtë në makinë janë gjetur edhe gëzhojat e të shtënave. Pas goditjes, makina ka dalë nga rruga e në këtë kohë autori duket se ka zbritur në rrokullisje e sipër. Ndërkohë që ndaj mjetit janë lëshuar breshëri kallashnikovi nga persona që thuhet të jenë bashkëpunëtorë të autorit.

HETIMET: 30 TË SHOQËRUAR, AUTORËT DYSHOHET SE ISHIN 3
Që prej mbrëmjes së djeshme, Drejtoria e Policisë së Qarkut Shkodër ndodhet në gatishmëri të plotë duke kryer hetime intensive për zbardhjen e ngjarjes së rëndë, të vrasjes së dy turistëve çekë. Burime zyrtare, bëjnë të ditur se janë shoqëruar 30 persona, të cilët po merren në pyetje për ngjarjen.

Ndërkohë operacioni i policisë, ku janë përfshirë Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe RENEA është shtrirë në të gjithë Dukagjinin. Grupi hetimor ka dyshime të forta se kanë qenë 3 persona që kanë vrarë turistët. Dyshohet se çiftit cek i është zënë pritë nga persona me motor. Ndërkohë në automjetin e turistëve është gjetur një Kallashnikov.

POLICIA 30 MIJE EURO SHPERBLIM PER INFORMATORIN
Policia ka bërë të ditur sot se jep shpërblim 30 mijë euro për informacionin e saktë mbi vrasësin/sit. Po kështu policia garanton ruajtjen e anonimatit të informatorit.
Në dispozicion policia ka vënë këtë numër telefoni 0694103984 ndërsa u bën apel banorëve të zonës të bashkëpunojnë me efektivët.

NGJARJA

Ka përfunduar në mënyrë tragjike aventura e dy turistëve çekë, të cilët kishin zgjedhur për pushime veriun e Shqipërisë. Dy të rinj Michael Svatos 27 vjeç dhe Anna Kosinova 36 vjeçe janë vrarë në afërsi të fshatit Prekal në Shkodër, ndërsa udhëtonin me automjetin e tyre tip Nissan Patrol ngjyrë gri me targa 4P89798, i cili ka përfunduar rreth 15 metër poshtë rrugës.

Ngjarja u shënua rreth orës 20:00 të kësaj të premteje, ndërsa dy turistët çekë janë qëlluar me breshëri automatiku nga persona ende të paidentifikuar. Fillimisht u fol për një aksident rrugor, por ishin banorët e zonës ata që sinjalizuan për breshërinë e armëve. Sipas policisë, dy të rinjtë kanë qenë duke u kthyer nga një kamp me çadra i ngritur nga një grup turistësh çekë dhe po udhëtonin drejt Shkodrës. Mendohet se atyre u është zënë pritë por nuk dihet ende në çfarë rrethanash janë qëlluar me armë zjarri.

Policia po heton në dy pista, atë të vrasjes së turistëve me qëllim grabitjen e tyre, ndërsa pista e dytë është ajo e vrasjes pasi të rinjte çekë mund të mos iu jenë përgjigjur thirrjes për të ndaluar automjetin, i cili është qëlluar në pjesën e përparme me breshëri automatiku. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes mësohet se brenda automjetit është gjetur një automatik ndërsa jo shumë larg mjetit janë gjetur një krehër arme dhe 2 gëzhoja. Nje piste tjeter eshte se cifti mund te jete qelluar nga nje person brenda makines dhe te tjere e kane ndihmuar nga jashte.

Autorët e vrasjes dyshohet se janë larguar me motorçikletë nga vendngjarja dhe se janë drejtuar drejt qytetit të Shkodrës. Në Prekal u nisën menjëherë Zv.drejtorët e përgjithshëm të policisë Policisë Ardian Çipa dhe Altin Qato, gjithashtu dhe Drejtuesi i Prokurorisë së Shkodrës, Besnik Cani i shoqëruar nga një prokuror tjetër dhe 2 oficerë.

Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës dhe ato të Tiranës po krehin intensivisht zonën për të rënë në gjurmët e autorëve. Ky nuk është rasti i parë kur turistët çekë në vend të pushimeve kanë gjetur vdekjen në Shqipëri.

 

“MALLKIMI” SHQIPTAR I TURISTEVE ÇEKE
• Tetor 2001 – Tre turistë çekë, Jan Pavelka, Mihal Pavelka dhe Lenka Tuçkova zhduken në malet enShkodrës.
• 30 korrik 2011 – Katër turistë çekë (dy çifte) grabiten me dhunë në fshatin Radomirë, Kala e Dodës. Marrin ndihmë në spitalin e Peshkopisë.
• 30 qershor 2012 – Dy turistë çekë grabiten pasi po laheshin në liqenin e Shkopetit. Bënë denoncim në policinë e Kurbinit.
• 20 korrik 2012 – Një turiste e moshuar çeke, 78 vjeçe, me iniciale A.L., gjendet pasi ishte deklaruar e zhdukur në afërsi të liqenit të Barumit, 2 km afër Krujës.
• 7 korrik 2013 – Turisti çek, Pavel Prozak rrëshqet në Malin e Jezercës. Gjendet i plagosur në këmbë nga helikopterët e Ministrisë së Mbrojtjes.
• 1 qershor 2014 – Turisti çek, David Polack vdes në Dukagjin pasi makina e tij bie në greminë.
• 15 gusht 2014 – Turistja çeke, 26-vjeçarja Martina Mala plagoset me armë zjarri në një lokal në plazhin e Velipojës. Policia arrestoi personin që qëlloi, S.H., nga Draxhati i Shkodrës.
• 8 maj 2015 – Turisti çek Adam Baron, 26 vjeç, mbytet në lumin Kir.
• 3 korrik 2015 – Një çift turistësh çekë vriten me kallashnikov, pasi u grabitën në Prekal të Dukagjinit.

(m.k/el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb