EDIRNE– Një mijë imigrantë, kryesisht refugjatë sirianë, ishin mbledhur sot nën kontrollin e forcave të sigurisë në qytetin turk të Edirnesë, në pritje të një kalimi të mundshëm në Greqi, njoftoi një fotograf.

“Ata nuk mund të qëndrojnë këtu. Mund të qëndrojnë një apo dy ditë, më pas duhet të largohen”, theksoi guvernatori i provincës në kufi me Greqinë dhe Bullgarinë, Dursun Ali Sahin, për stacionin televiziv informativ NTV.

Që prej disa ditësh, qindra imigrantë kanë mbërritur në Edirne me shpresën për të kaluar kufirin grek në rrugë tokësore, pas një thirrjeje në rrjetet sociale që iu kërkon atyre të shmangin tashmë një kalim të rrezikshëm të detit Egje mes vendeve turistike jugperëndimore turke dhe ishujt grekë.

Për të shmangur një fluks të refugjatëve përgjatë kufirit, autoritetet turke vendosën t’i bllokojnë në stacionin e autobusëve në Stamboll, ku qindra persona kanë rrethuar kompanitë e transportit për të marrë një autobus.

Disa kanë mbërritur në Edirne me automjete të veçanta ose në këmbë. Ata janë mbledhur në stacionin e autobusëve dhe në një xhami të qytetit nën mbikëqyrje të rrepte të policisë që i ndalojnë t’i afrohen kufirit.

Kryqi i Kuq turk dhe autoritetet lokale u kanë shpërndarë ushqim, ujë, batanije dhe tenda.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: