TURQI- Avokati i njohur turk, Tahir Elçi, figurë e moderuar e kauzës kurde, u vra sot në qytetin e Diyarbakirit gjatë një shkëmbimi zjarri duke rritur tensionet në juglindje të Turqisë, përfshirë nga luftimet mes rebelëve dhe forcave të sigurisë.

Përfaqësuesi i Dhomës së Avokatisë, Tahir Elçi, 49 vjeç u vra ndërkohë që po zhvillonte një konferencë shtypi në distriktin Sur, skenë përplasjesh mes policisë dhe të rinjve, mbështetës të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit PKK.

Sipas dëshmitarëve, shkëmbimi i zjarrit filloi kur persona të armatosur të paidentifikuar kanë hapur zjarr kundër policëve në afërsi të vendit ku ndodhej avokati. Atëherë forcat e sigurisë janë kundërpërgjigjur.

“Një polic u vra dhe dhjetëra persona të tjerë u plagosën, prej të cilëve një gazetar dhe të paktën dy policë”, sipas një zyrtari të shërbimeve të sigurisë.

Një operacion u ndërmor në përpjekje për të gjetur autorët e shkëmbimit të zjarrit.

“Rezultatet e para të autopsisë bëjnë të ditur se avokati ishte qëlluar me një plumb në kokë”, bënë të ditur burime spitalore.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: