Turqia ka intensifikuar bombardimin ndaj milicisë kurde në Sirinë veriore para se të ndërmarrë një ofensivë tokësore me qëllim largimin e tyre nga zona, shkruan BBC.

Turqia prej kohësh ka paralajmëruar se do të largojë luftëtarët e Njësiteve Popullore Kurde (YPG) nga Afrini, që është nën kontrollin e kurdëve që në 2012. Luftëtarët kurdë të YPG-së, që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara, konsiderohen si grup terrorist nga Ankaraja.

Ministri i mbrojtjes i Turqisë, Nurettin Canikli deklaroi se operacioni ushtarak filloi të premten me hedhjen e predhave nga forcat turke matanë kufirit. Sipas tij, Ankaraja nuk kishte “opsion” tjetër dhe duhet të “pastrojë të gjitha elementet terroriste” nga pjesa veriore e Sirisë, në kufi me Turqinë.

Ministri Canikli gjithashtu shtoi se Ankaraja dhe Moska do të vazhdojnë të bisedojnë për operacionin ushtarak. Shefat e ushtrisë dhe inteligjencës turke janë në Moskë për të arritur një marrëveshje me Rusinë për të lejuar avionët turq të përdorin hapësirën ajrore të kontrolluara nga Rusia mbi Afrin.

Planet e fundit të SHBA-së për të ndihmuar milicinë kurde të krijojë ‘një forcë sigurie të kufirit’ me 30 mijë trupa kanë alarmuar Ankaranë.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tha se Uashingtoni po krijonte një ‘ushtri terrori’ dhe u betua se do ta shtypte atë. Ai gjithashtu paralajmëroi për operacione të menjëhershme për të pastruar forcat kurde nga dy zonat e kufirit –Afrin dhe Manbij.
(a.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: