KRETE– Bisedimet mes Greqisë dhe Shqipërisë për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe, kanë vazhduar edhe gjatë pasdites së sotme në ishullin e Kretës. Pasi janë pritur me këngë dhe valle në Lasithi, lokalitet pranë vendit ku mbahen bisedimet, emrin e sheshit të së cilës zoti Kotzias e ka pagëzuar me emirin “Europa” dy vite më parë, të dy ministrat u janë rikthyer bisedimeve.

Bisedimet e pasdites së të shtunës janë fokusuar në problemet e minoritetit grek që jeton në Shqipëri, si dhe do të diskutohet për pikat e mbetura pezull në marrëveshjet për të cilat palët kanë dakordësi ose qasje.

Duke folur për mediat greke pasditen e sotme, ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, tha se bisedimet kanë qenë më intensive dhe të strukturuara.

“Sic dihet ne kemi hapur një kapitull të rëndësishëm të marrëdhënieve me Greqinë, ku kemi tematizuar të gjitha çështjet që i konsiderojmë të hapura, apo çështje për të cilat kemi këndshikime të ndryshme. Natyrisht është bërë një punë voluminoze, sidomos dy vitet e fundit, me ngritjen e mekanizmit të nivelit të lartë ndërmjet dy vendeve tona, dhe këto dy ditë diskutimet kanë qenë me intensive, më të strukturuara pasi ka pasur nga ana tjetër edhe një punë paraprake, të mirë do të thoja, nga ekipet tona respektive. Unë e kam thënë edhe herë të tjera, kjo është një dosje jo e lehtë, rreth 70 e ca vjeçare, për pasojë kërkon kohën e vet dhe instrumentet më të përshtatshme për një zgjidhje në frymën europiane dhe bazuar mbi të drejtën ndërkombëtare”, u shpreh ministri Bushati.

I pyetur nëse ka “tym të bardhë” për ndonjë nga çështjet e diskutuara, ministri Bushati u përgjigj:
“Bëhet fjalë për një paketë çështjesh të hapura, ndonëse çështjet jemi përpjekur për t’i vendosur sipas një tematike të caktuar kohore apo logjike. Për sa kohë do të vazhdojmë në këtë proces konsultimi dhe në këtë proces diskutimi intensiv dhe të imtësishëm me palën greke, do të pëlqeja të jem i rezervuar dhe i matur në deklarime”.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: