TIRANE-Arrin t’ia mbathë nga policia një i kërkuar për vrasje të mbetur në tentativë. 20 vjeçari Arnolt Canameti të martën u deportua nga Franca, ku qëndronte si emigrant i paligjshëm, dhe me të zbritur nga avioni në tokën shqiptare arriti tu shpëtojë efektivëve blu.

Këta të fundit pas verifikimit të pasaportës së tij kuptuan se nuk kishin të bënin thjesht me një emigrant klandestin, por edhe me një person të shpallur në kërkim në Shqipëri. Të martën nga Franca kanë ardhur 3 çartera me të deportuar, për ardhjen e të cilëve nuk janë lajmëruar autoritetet policore.

Vetëm pasi kanë marrë pasaportat për të verifikuar shtetasit e deportuar, efektivët e komisariait në Rinas konstatuan se 20 vjeçari ishte larguar nga terminali. Pas verifikimit të kamerave u vërtetua se Murat Hysa, 50 vjeç, nga Burreli dhe Ylber Ndoi, 29 vjeç, nga Mati, e kanë ndihmuar 20 vjeçarin t’ia mbathë nga terminali.

Të dy këta shtetas u vunë në pranga me akuzën “Përkrahje e autorit të krimit, e kryer në bashkëpunim”. Arnolt Canameti, 20 vjeç, lindur dhe banues në Burrel është shpallur në kërkim nga shteti shqiptar për veprën penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, “armëmbajtje pa leje”, “Shkatërrim prone” dhe “Prishje e qetësisë publike”. Policia njofton se shërbimet e SHÇBA-së po kryejnë ndërkohë hetime të plota për ngjarjen. Policia po vazhdon punën për kapjen e shtetasit Arnolt Canameti.

(ed.me/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: