Kejdi Mehmetaj, në një intervistë për suplementin “Summer Pages” të “Gazeta Shqiptare”ka treguar për pushimet verore, angazhimin e saj politik, për sfidën e opozitës si dhe për të vërtetën e fotove që qarkulluan në rrjetet sociale. Deputetja tha se pushimet i ka kaluar në jug së bashku me familjen dhe theksoi çështjen e turizmit, që sipas saj ka qenë i vakët, pasi nuk ka pasur investime nga qeveria. Kejdi pohon se LSI-ja e ka të qartë pozicionin që do mbajë si opozitë e fortë për të mbështetur interesat e qytetarëve: LSI-ja do sjellë modelin e opozitës këmbëngulëse dhe me alternativë. Sa u përket fotove ku shfaqej në shoqërinë e një djali, që u përfolën aq shumë, Kejdi tha se nuk i kanë krijuar ndonjë shqetësim të madh. Përgjigjen më të mirë sipas saj e kanë dhënë lexuesit, të cilët kanë interesa për punën e saj e jo për jetën e saj personale.

Deputetja na tregoi se kohën e lirë ia rrëmbejnë librat, miqtë, kinemaja dhe arti. E pyetur nëse ka menduar të heqë dorë nga politika, ajo thotë se ka shumë objektiva në mendje dhe zemër.

Keni lënë pas një fushatë të ngjeshur; si ka qenë kjo verë për Kejdin? Sa keni pushuar këtë sezon?

Ka qenë një verë e ngjeshur po aq sa edhe periudha para saj, pasi menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve, organizuam në Jalë Festivalin e Internacionales së të Rinjve Socialiste, me pjesëmarrjen e më shumë se 1000 të rinjve nga e gjithë bota. Përveç ngarkesës si organizatorë të këtij aktivitet, pasi LSI dhe LRI ishin mikpritëse, pata edhe angazhimin e dyfishtë si zëvendëspresidente. Po ashtu gjatë verës kemi pasur kampet verore të të rinjve, që janë tashmë një traditë e LSI-së. Pra kam pasur pak ditë pushimi real dhe meqenëse i kalova në Shqipëri, as ato ditë nuk do i quaja mirëfilli pushime.

Ku i bëtë pushimet, veç kampit të Jalës me LSI-në?

Ditët në Jalë unë nuk i konsideroj pushime, pasi janë ditë intensive dhe gjatë një jave mund të gjesh maksimumi 3-4 orë për të shijuar detin e bukur aty. Pushimet i kalova me familjen në jug të Shqipërisë, kryesisht në Dhërmi, por edhe ndonjë ditë në Himarë dhe plazhet përreth.

Si i është dukur turizmi këtë vit Kejdit si një vajzë e re në moshë, por edhe si një deputete?

Lehtësisht nga bisedat me sipërmarrësit kuptoje se turizmi këtë vit ka qenë shumë i vakët, asnjë investim serioz nga qeveria dhe asnjë vëmendje e shtuar. Format e ndryshme të presioneve të përdorura gjatë fushatës dukshëm ndikuan edhe në turizëm, pasi qytetarët ishin të frikësuar edhe të merrnin lejen e zakonshme për të pushuar, pasi mund të pushoheshin nga puna.

Po ashtu si ndjeje edhe te shitësi më i thjeshtë frikën nga tatimet, apo të fortët e zonave që gjenin të gjitha llojet e formave për të përfituar nëpërmjet presioneve. E gjitha kjo rriti çmimet, ndërkohë që pagat janë ulur dhe papunësia është rritur në nivele alarmante. Nga ana tjetër kishe frikë të notoje, pasi çdo ditë kishte lajme për pushues që humbnin jetën në det si pasojë e moskontrollit të vijës bregdetare dhe e pakujdesisë së instancave qeveritare. Po ashtu siç duhej të mateshe disa herë për të marrë përsipër një rrugë, se mund të të zinin flakët e zjarreve që dogjën e vazhdojnë të djegin gjithë Shqipërinë, e për të cilat nga qeveria nuk tha një fjalë, e jo më të merreshin masa serioze. Besoj me të gjitha këto që përmenda, përfundimi është që kjo ka qenë një verë e trishtë për shqiptarët.

Çfarë i mungon turizmit shqiptar?

Së pari, dua të them atë që turizmi shqiptar e ka me bollëk e për të cilën duhet të jemi të gjithë krenarë: vende të bukura, madje do të thosha përrallore, që ofrojnë mundësi për turizëm të të gjitha llojeve dhe stinëve. Jemi një vend i pasur jo vetëm në bukuri natyrore, por edhe në histori, traditë e kulturë. Fatkeqësisht për turizmin nuk ka një vizion të qartë investimesh dhe mbështetjeje, dhe duket se nuk do të ketë edhe për sa kohë kjo qeveri të jetë në detyrë. Turizmi që të zhvillohet do ide dhe investime. Investime në infrastrukturë, energji, shërbime, inovacion etj. Megjithatë duket se nuk ka ndonjë dritë jeshile për asnjërën prej tyre. Kjo nuk është ndonjë habi për mua, në fakt, duke marrë parasysh se Rama është kryeministër i fasadave dhe jo strategjive afatgjata me interes kombëtar.

Fotot tuaja në shoqërinë e një mashkulli në plazh kanë qarkulluar në mediat online; si i ka parë Kejdi, sa jua “prishin” imazhin këto foto?

I kam parë ato foto dhe nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Gazetarët mundohen të rrisin audiencën në portalet e tyre. Përgjigjen më të mirë në këtë rast e kanë dhënë lexuesit, të cilët nuk kanë interes në jetën time personale, por në punën time, për të cilën jam e bindur se nuk ka asgjë që mund të më cenojë.

Si reagojnë shqiptarët kur shikojnë një deputete me rroba banje?

Haha… Nuk e di nëse ka ndonjë reagim të veçantë, mua nuk më ka ndodhur ta shoh një të tillë. Për më tepër, unë vazhdoj të jem një vajzë e re, jam shumë sportive në përditshmërinë time, dhe besoj nuk habis njëri me rrobat e banjës, atletet apo xhinset.

Si janë pushimet tuaja, më shumë të qeta, apo të rrethuara me miq dhe muzikë?

Janë të qeta dhe familjare ato pak ditë që pushoj seriozisht. E gjithë pjesa tjetër e vitit është plot zhurmë, në të gjitha aspektet, ndaj qetësia në pushime për mua është domosdoshmëri.

Ndërkaq, një sezon i ngjeshur ju pret në parlament; si do të jetë për Kejdin ky rifillim?

Si e thatë edhe ju, do të jetë i ngjeshur dhe aktiv. Ne si LSI e kemi të qartë pozicionin tonë: do të jemi një front i fortë opozitar për të mbrojtur interesat e vendit dhe të qytetarëve. Kemi të qartë cilat janë prioritetet për vendin dhe çfarë politikash duhen ndërmarrë, dhe do të bëjmë çdo përpjekje për të qenë zëri i fortë i qytetarëve në parlament dhe në vendimmarrje. Besoj si e re, këtë përgjegjësi e kam dyfish, pasi te ne të rinjtë shihet edhe mundësia, shpresa për të pasur një Shqipëri më të mirë.

Po opozita, si është në sytë tuaj, do të jeni “agresive”?

Në këtë situatë në të cilën ndodhet vendi, me këtë qeveri të re që krijoi kryeministri, kryefjala e të cilit ishin emrat dhe jo projektet, interesi parësor i të cilit është ta japë vendin me koncesion në shërbim të krimit që e solli në pushtet, opozita, është detyrë qytetare dhe përgjegjësi përpara votuesve tanë. Ne do të sjellim modelin e opozitës këmbëngulëse, argumentuese dhe opozitës që sjell alternativë. LSI-ja është krijuar si parti opozitare, është parti e të rinjve, dhe të rinjtë janë barriera kryesore e padrejtësive, ndaj jam e bindur që LSI-ja do të jetë ajo opozitë që i ka munguar vendit gjithë këto vite.

20624061_670442676487893_596292621_n-2

Si i keni marrëdhëniet me kundërshtarët politikë?

Janë marrëdhënie komplekse. Do ishte klishe nga ana ime po të thosha institucionale, pasi ndodh të përplasesh me ide dhe argumente, dhe kjo të çon edhe në mungesë të marrëdhënies. Megjithatë, nuk jam natyrë që sillem ndryshe para kamerave e ndryshe pas tyre. Nëse gjykoj se me sjellje të caktuara politike cenohet e drejta, atëherë marrëdhënien e kemi të keqe.

Shkrimin e plotë e gjeni në Gsh.al duke klikuar tek linku;  http://www.gsh.al/2017/08/28/nga-sfidat-ne-parlament-te-jeta-jashte-politikes-rrefimi-ndryshe-i-kejdi-mehmetajt-lsi-do-jete-opozita-e-munguar/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: