LEZHE- 47-­vjeçari i arrestuar sot nga policia e Lezhës pasi u kap me 320 gramë kokainë, rezulton se është vëllai i kreut të Komisariatit të Policisë Dibër, Robert Aga. Pajtim Aga, u arrestua nga Seksioni kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, pas informacioneve të marra në rrugë operative.

Gjatë kontrollit në makinën e tij, Pajtim Agës, banues në Tiranë, policia ka gjetur 320 gramë lëndë narkotike e llojit kokainë. Policia dyshon se Aga merret me shpërndarjen e drogës.

“Më datë 25.09.2016, nga Seksioni kundër Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative si dhe falë një operacioni të mirëorganizuar, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: Pajtim Aga, 47 vjeç, banues në Tiranë Gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale, një sasi 320 gramë e dyshuar lëndë narkotike “Kokainë” e paketuar. Materialet procedurale u referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin për veprën penale” Prodhim dhe shitje e narkotikëve” parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e policisë.

Shefi i Komisariatit të Policisë Dibër, Robert Aga ka qenë një nga personat më të akuzuar nga Partia Demokratike si i përfshirë në blerjen e votave gjatë procesit zgjedhor për Bashkinë Dibër.

PD ka depozituar në Prokurori për Agën dhe një kallëzim duke e cilësuar pjesë të grupit të strukturuar kriminal për blerje votash në fushatën e Dibrës.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: