ELBASAN- Pas arrestimit të 40-vjeçarit Besnik Çapja sot nga policia e Elbasanit për llogari të drejtësisë italiane, ka reaguar avokati i tij.

Në një prononcim për “BalkanWeb”, avokati i zgjedhur nga Alban Qafa mohon lidhjet me fisin Çapja të njohur në këtë qytet dhe i përmendur për disa ngjarje kriminale. Avokati sqaron se klienti i tij Besnik Çapja, ka mbiemër tjetër nga lindja, ashtu si i familjes së tij.

“Sqaroj në cilësinë e avokatit se: I arrestuari mbrëmë në Elbasan për llogari të Interpolit me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Nuk ka asnjë lidhje farefisnore me fisin Çapja. Mbiemri i tij nga lindja është Bylyku dhe i familjes së tij. Më pas e ka ndërruar në Çapja”, thotë avokati Alban Qafa.

Nga ana tjetër policia thoshte sot zyrtarisht se “Kapet dhe ndalohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasi: Besnik ÇAPJA, (alias Besnik BYLYKU, Kliton PRIFTI) 40 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan”.

Arrestimi i 40-vjeçarit u bë në një pikë loto- sporti në rrugën “Rinia”, në lagjen “Visarion Xhuvani” Elbasan pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar më 28 nëntor të këtij viti nga Interpol Roma. Autoritetet Gjyqësore në Torino, më 1 qershor 2017 e kanë dënuar me 6 vjet e 4 muaj burgim, për “Pjesëmarrjes në Organizatë kriminale me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb