SARANDE – Policia ka arrestuar Kreshnik Shabanin, 35 vjeç, pasi akuzohet se ka marrë pjesë në një sherr masiv mes 9 personash në Xarrë ku mbetën disa të plagosur.

“Më datë 09.09.2017, rreth orës 22:30, u ndalua shtetasi Kreshnik Shabani vjeç 35, banues në fshatin Vrinë, Vlorë, pasi  Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Sarandë, ka urdhëruar ndalimin, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, njofton policia.

Sherri në Xarrë

XARRE/KONISPOL: Një sherr masiv mes 9 personash është shënuar në fshatin Xarrë, bashkia Konispol. Ngjarja është shënuar rreth orës 22.00 të së mërkurës, kur F.D, N.Gj, P.N, A.N, F.N dhe Kreshnik Shabani, janë konfliktuar duke u goditur me grushte e sende të forta me shtetasit V.Ç, Dh.Ll dhe L.Ç. Si pasojë kanë marrë plagë të lehta të gjithë pjestaret në sherr, ndërkohë që më rëndë është plagosur F.D, i cili është nisur drejt Tiranës për mjekim më të specializuar.

Policia ka mbërritur në vendngjarje ku ka gjetur dhe sekuestruar 1 thikë. Ndërkohë është ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Kreshnik Shabani në fshatin Vrinë, bashkia Konispol, ku është gjetur dhe sekuestruar 741 gram lëndë narkotike e llojit “cannabis sativa”. Për gjithë pjestarët në sherr, policia ka ngritur akuzen “Plagosje e lehtë me dashje” ndërsa për Kreshnik Shabanin edhe atë të “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”.

Policia ka shoqëruar në polici 6 persona dhe po punon për të zbardhur shkakun e këtij sherri masiv. Sipas burimeve nga banorë të Xarrës bëjnë me dije se sherri ka qenë mes një grupi adoleshentësh.

(e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: