TIRANË- Klevis Balliu, deputet i PD-së ishte një prej të përjashtuarve nga seanca e sotme plenare pasi me kolegët e tij demokratë hodhën miell, letra e vezë në drejtim të kryeministrit Edi Rama. Por për të folur për këtë situatë aspak të zakontë në parlament, Balliu ka qenë sot në rubrikën “Opinion” në News24.

Ai tha se ka qëlluar 4 herë me vezë në drejtim të Ramës dhe ministrit Bushati. Sipas tij, veprime të tilla njihen në demokraci dhe kanë ndodhur edhe në vende të tjera por se nuk ka ndodhur kurrë që një ministër të qëllojë opozitën, raporton “BalkanWeb”.

“Ky është thjesht vazhdimi i irritimit të qytetarëve, që do vazhdojë në rrugë dhe në parlament. Arrestimet politike dhe pa prova të qytetarëve. Për sa kohë kjo qeveri nuk i hap veshët dhe nuk i dëgjon qytetarët do përballet me opozitën në parlament dhe me qytetarët”, tha Balliu.

Ju jeni tek momenti ku qëllohet me miell?
Po, ishin dhe një seri deputetësh të tjerë.

E kishit paramenduar këtë veprim të opozitës?
Nuk do të ketë asnjë mënyrë për të ndaluar rebelimin e qytetarëve. Ne jemi deputetë të PD por përfaqësojmë qytetarët. Për çdo veprim konsultohemi me qytetarët. Ajo lëvizje aty është irritimi i qytetarëve dhe si duhet të sillemi me një qeveri ilegjitime.

Çfarë kishit me vete?
Vezë dhe miell.

Sa herë ke goditur me vezë?
Rreth katër herë, në drejtim të kryeministrit dhe zotit Bushati.

Organizime të tilla njihen në demokraci. Në Itali ka pasur drejt qeverisë së Berlusconit dhe Renzit. Ka pasur dhe në Greqi dhe në Francë. Por nuk ka pasur kurrë goditje të një ministri ndaj opozitës. Është i vetmi ministër i jashtëm në të gjithë botën që ka goditur opozitën. Janë sende që nuk dëmtojnë njeri. Janë për të shprehur në mënyrë simbolike se çfarë përfaqësojnë ata në qeveri.

Ka pasur parapërgatitje nga ju deputetët?
Ne kishim menduar që qeveria do duhej të përjashtonte Ramën për gjuhën fyese. Dhe bëmë këtë kërkesë. Pasi parlamenti nuk pranoi ta përjashtonte ky ishte reagimi ynë, përgjigjja jonë.

Sot janë përjashtuar tre deputetë të opozitës sepse kanë goditur këtë kryeministër sepse sulmuan me miell dhe me vezë. Por nuk përjashtohet kryeministri që i krahasoi shqiptarët me organin gjenital. Kjo është e papranueshme për deputetët e opozitës sepse përfaqësojnë qytetarët. Ne jemi në mbështetje të tyre.

E kishit vendosur dje?
Ishte diçka që ishte diskutuar.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb