KUKES- Procedohen penalisht në gjendje të lirë dy tifozë të skuadrës së ‘Partizanit’ pasi akuzohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës” gjatë takimit me Kukësin.

Burime zyrtare nga policia pohuan për ‘BalkanWeb’ se bëhet fjalë për shtetasit me inicialet A.M., 37 vjeç, dhe E.C., 29 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Procedimi ndaj këtyre shtetasve filloi pasi sot rreth orës 15:30, në stadiumin “Zeqir Ymeri” në Kukës, gjatë zhvillimit të ndeshjes Kukësi-Partizani, kanë dëmtuar stolat e stadiumit si dhe thyer xhamin e një automjeti.

Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës”.

NGJARJA
Ngjarja në fjalë ndodhi sot rreth orës 15:30, në stadiumin “Zeqir Ymeri” në Kukës, gjatë zhvillimit të ndeshjes Kukësi-Partizani. Dy tifozët në fjalë akuzohen se kanë dëmtuar stolat e stadiumit si dhe thyer xhamin e një automjeti.
Ndërhyrja e policisë ndaj tifozëve të Partizanit ka shkaktuar më shumë probleme sesa gurët dhe sendet e forta që kanë vërshuar nga shtëpitë përreth stadiumit “Zeqir Ymeri”.
Po ashtu, u raportua se në spitalin e Kukësit u dërguan me urgjencë tre tifozë. Dy kishin të çara nga gurët, ndërsa i treti, ai që është edhe në gjendje më të rëndë, ka pësuar kolaps pas ndërhyrjes së policisë e cila ka përdorur edhe spraj.
56-vjeçari Ylli Hidrizi është aktualisht në urgjencë, ndërsa ka pasur nevojë edhe për vendosjen e maskës së oksigjenit, pasi nuk reagonte.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb