TIRANE- Trajneri i Tiranës U 17, Migen Memelli, i cili u sulmua sot me thikë teksa skuadra bënte stërvitje, ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë. Në një prononcim për ‘News24′ Memelli tha se nuk ka pësuar dëmtime fizike.

“Jam i tronditur nga sulmi. Personi më ka goditur disa herë me grushte, nuk kam dëmtime fizike. Ato që thatë ju qëndrojnë, nuk i shpjegoj dot me detaje. Kam bërë denoncim në komisariatin nr.6. Nuk do trembem kurrë punës time për sa kohë punoj me pasion përballë këtyre njerëzve, kushdo qofshin ata. Shpresoj që klubet e futbollit të sensibilizohen me fenomene të tilla, siç ishte ai i Gjokës. Unë paguhem nga klubi, nga Refik Halili dhe jo nga prindërit. Kundrejt kësaj pagese ushtroj detyrën time 1 orë në çdo ditë të javës. Fëmijët i kam trajtuar njësoj. Djali i babait që sulmoi ka qenë kapiten i skuadrës, ka pasur rol të rëndësishëm në skuadër. Ishte një djalë i çrregullt, që ofendonte gjithmonë. Ska qenë në linjë me lojtarët e tjerë. Ndonjëherë nuk vlerësohet puna. Sa të mbrojtur jemi? Çdo prind i një fëmijë mund ta dalin në rrugë dhe të na kërcënojë.”, tha ai për ‘News24’.

NGJARJA
Ngjarja e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në kompleksin stërvitor “Skënder Halili”. ‘BalkanWeb’ mësoi se Migen Memelli, u sulmua me grushte e më pas me thikë por fatmirësisht ka shpëtuar pa lëndime.

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se gjatë stërvitjes një prind i një prej lojtarëve që trajneri se ka përfshirë në stërvitje e ka qëlluar fillimisht me grusht. Më pas babai i një prej lojtarëve nxori thikën për ta qëlluar, por trajneri është shmangur duke shpëtuar pa lëndime.
Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar prindin me iniciale A.Ç. në komisariat dhe ka nisur procedimin penal.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb