TIRANEKomuniteti Mysliman i Shqipërisë ka reaguar ashpër pas videos së publikuar në rrjetet sociale ku futbollistët e Kombëtares Shqiptare, Armando Sadiku, Andi Lila si dhe imami Ahmed Kalaja shfaqeshin në dhomën e një hoteli duke u tallur me përfaqësuesit e klerit ortodoks si dhe ndaj letrës së Komitetit Shtetëror për Kultet që apelonte marrjen e masave ndaj këtyre akteve të imamit të xhamisë tek “Rruga e Kavajës” në Tiranë.

KMSH ka dënuar këto veprime të Ahmed Kalasë duke paralajmëruar se kjo çështje do trajtohet me seriozitetin maksimal nga Kryesia e KMSH me synim që raste të tilla të mos përsëriten.
Ahmed-Kalaja
Reagimi i plotë i KMSH:
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë, si një institucion i promovimit të vlerave të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, ka ndjekur me shqetësim publikimin e ndodhur disa ditë më parë, ku gjatë një bashkëbisedimi jo të kujdesshëm të shfaqur në mediat sociale midis dy futbollistëve të kombëtares dhe një imami, u la vend për keqkuptim dhe lëndim të ndjenjave dhe besimeve të tjera fetare. Rastin në fjalë e dënojmë dhe do trajtohet me seriozitetin maksimal nga Kryesia e KMSH me synim që raste të tilla të mos përsëriten. Duke vlerësuar bashkëpunimin e frytshëm dhe korrekt me Komitetin Shtetëror të Kulteve, sqarojmë opinionin publik se bashkëndajmë shqetësimin e këtij institucioni, shprehur edhe me shkresën e fundit, në lidhje me ruajtjen dhe moscënimin e traditës së shquar të bashkëjetesës dhe harmonisë ndërfetare, vlerë e vyer kjo e trashëguar ndër vite.

(d.d/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: