TIRANË- Do ishte një udhëtim drejt Italisë por u kthye në udhëtimin e fundit drejt vdekjes. Një fat tragjik për 23-vjeçaren Elena Avdillari që mbeti e vdekur në aksidentin fatal pas mesnatës së kaluar pranë Maminasit.

Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për “BalkanWeb” se vajza me origjinë nga Korça por banuese nga Kombinati, Tiranë duhej të nisej mbrëmjen e kaluar me traget drejt Italisë. Për shkak të dokumentacioneve të munguara, ajo është kthyer nga autoritetet portuale.

Më pas 23-vjeçarja ka marrë një taksi në Portin e Durrësit që drejtohej nga 60-vjeçari Bujar Agalliu për t’u kthyer në Tiranë. Por në autostradë pranë Maminasit, taksia me të cilën udhëtonin është goditur nga një automjet “Benz”.

Pas kësaj taksia ka përfunduar në karburant në një tjetër goditje, që i ka marrë jetën të dy personave që ndodheshin në taksi. Në portofolin e viktimës është gjetur edhe bileta e tragetit për në Itali. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen dhe pohon se në mjetin tip ‘Benz’ ishin 2 persona, që u larguan pas aksidentit. Policia ka identifikuar drejtuesin e ‘Benzit’, i cili është shpallur në kërkim.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb