Në vijim të aksionit kundër lidhjeve të paligjshme dhe shpërdorimit të ujit të pijshëm të nisur që në Korrik 2017, Bashkia e Tiranës me grupet e saj të punës, janë në terren për të bërë verifikimin e rasteve të shkeljeve, ndërsa në pikat e UKT-së është rritur numri i qytetarëve të cilët janë paraqitur për pagimin e faturave të prapambetura dhe lidhjen e kontratave të reja.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku ishte i pranishëm sot në pikën e UKT pranë Rr. Bardhyl, ku u bëri thirrje qytetarëve që deri më 31 janar të formalizojnë lidhjet e tyre. “UKT-ja, si pjesë e fushatës mbarëkombëtare për reformën e ujit, ka nisur prej kohësh aksionin për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme, si dhe lidhjen e kontratave të reja, për të gjithë ata qytetarë apo kompani që kanë lidhje uji të paligjshme. Ka pasur një përgjigje shumë të madhe nga ana e njerëzve për të gjithë këtë sipërmarrje dhe gjatë këtyre dy ditëve, vërtet kemi një volum shumë të madh njerëzish në secilën prej pikave të kujdesit ndaj klientit. U bëjmë thirrje qytetarëve që deri në datën 31 janar të aplikojnë dhe të lidhin kontratat e tyre”, tha Mazniku.

Nga muaji shkurt, grupet e taks-forcës do të jenë në terren për t’i dhënë fund vjedhjes së kësaj pasurie publike. Nënkryetari Mazniku shprehu vullnetin e Bashkisë së Tiranës për disiplinimin e përdorimit të ujit dhe përmirësimin e furnizimit të qytetarëve me ujë të pijshëm. “Kontrollet do të vijojnë gjatë muajit shkurt dhe mars; lidhjet e paligjshme do të ndërpriten, qofshin këto për biznese apo individë. UKT-ja është angazhuar që ky proces të jetë sa më i butë, sa më i mirë, por nga ana tjetër mbetemi të vendosur që çdo person, i cili merr shërbimin e ujit, çdo kompani që merr shërbimin e ujit, ta paguajë atë në mënyrë të rregullt. Uji është një shërbim, i cili kushton për t’u ofruar, ndaj dhe duhet paguar nga kushdo”, nënvizoi Mazniku.

Prej korrikut, kur ka nisur edhe aksioni, arkëtimet janë rritur me 17%. Mazniku tha se deri me datën 31 Dhjetor 2017 janë evidentuar dhe është bërë ndërprerje e furnizimit me ujë në 5,935 subjekte familjare apo privatë, që furnizohen me ujë nëpërmjet lidhjeve të paligjshme. “Edhe muajt e shkuar kanë qenë mjaft të suksesshëm, për sa i përket UKT-së në këtë fushë. Kemi pasur më shumë se 9454 kontrata të reja, kemi ndërprerë më shumë 5935 lidhje të paligjshme dhe për rrjedhojë ka pasur një shtim të qytetarëve që kanë ardhur për të lidhur kontratat e tyre. Gjatë kësaj periudhe, janë vendosur 24702 ujëmatëse të rinj dhe janë bërë marrëveshje më shumë se 3300 njerëz të rinj, të cilët kanë pasur debi të vjetra pranë UKT-së, por UKT-ja ka bërë një marrëveshje për pagesën e këtyre debive për një afat të gjatë, nëpërmjet kësteve, si një pjesë e shtuar në faturën normale të muajit”, shpjegoi ai.

Përmirësimi i efiçencës dhe një administrim më i mirë i ndërmarrjes së UKT, do t’i hapë rrugën realizimit të investimeve të rëndësishme që do të garantojnë ujë të pijshëm 24 orë në ditë për konsumatorët e kryeqytetit. “Kjo është një masë shumë e rëndësishme për sa i përket reformës së ujit në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë, sepse vetëm duke siguruar që çdo person dhe çdo kompani, i cili ka një lidhje, ta paguajë atë, mund të sigurojmë një shërbim më cilësor për të gjithë qytetarët që kanë qenë pagues të rregullt gjatë gjithë këtyre viteve”, u shpreh Mazniku, i cili ndoqi nga afër edhe aksionet në terren të grupeve të punës për prerjen e lidhjeve të paligjshme të ujit të pijshëm.
thumbnail_Mazniku gjate inpsketimit te aksionit per ujin (2)

thumbnail_Mazniku gjate inpsketimit te aksionit per ujin (3) (1)

thumbnail_Mazniku gjate inpsketimit te aksionit per ujin (3)

thumbnail_Mazniku gjate inpsketimit te aksionit per ujin (4)

thumbnail_Mazniku gjate inpsketimit te aksionit per ujin (5)
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb