ITALI- Një 36-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e policisë italiane, pasi akuzohet se në mënyrë të vazhdueshme dhunonte dhe kërcënonte ish-gruan, pasi nuk pranonte divorcin. Siç raportojnë mediat italiane, shqiptari nuk është ndalur me dhunën, ndërsa pas një përballje mes tyre ai e ka rrahur shumë pranë komisariatit të Raguzës.

Pasi kanë dëgjuar ulërima dhe britma që vinin nga parkimi në këtë zonë, policia ka ndërhyrë, ndërsa ka arrestuar shqiptarin, identiteti i të cili nuk dihet. E gjithë skena e dhunës u bë në prani të dy fëmijëve të tyre të mitur, që nëna i mbante në krah gjatë momentit që po rrihej nga ish-burri i saj, ndërsa nga hundët i rridhte gjak.

Fill pas ngjarjes, gruaja shqiptare u dërgua në spital për mjekim. Çifti ishte ndarë prej kohësh, ndërsa 36-vjeçari e kërcënonte vazhdimisht ish-gruan, pasi kërkonte që të ribashkoheshin. Pak ditë më parë burri kishte tentuar që të shkonte në shtëpinë e ish-gruas, ku në xhep kishte edhe një thikë. Por pas ndërhyrjes së policisë, u arrit të parandalohej ndonjë krim i mundshëm, ndërsa gruaja kishte bërë denoncimin.

‘Ragusah24’ shkruan se shqiptari po priste pikërisht ish-gruan afër stacionit policor, pasi e dinte se gruaja do tërhiqte lejen e re të qëndrimit. Pas një sherri verbal, ai ka nisur të qëllojë me grushte dhe shkelma ish-gruan.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb