Dy mijë e pesëqind fëmijë janë vrarë mes viteve 2014 dhe 2017 në Siri, njoftoi Fondi Emergjent i Fëmijëve i Kombeve të Bashkuara (UNICEF), transmeton Anadolu Agency (AA).

Përmes një raporti të publikuar, UNICEF njoftoi se shifra e vërtetë e fëmijëve të vrarë mund të jetë shumë më e lartë se kjo dhe se kjo shifër është 50 për qind më shumë se ajo e vitit 2016.

Sipas raportit, 8,6 milionë nga dhjetë milionë fëmijë në vend kanë nevojë për ndihmë emergjente, kurse gjashtë milionë fëmijë janë zhvendosur nga vendet e tyre.

UNICEF tregon se 2,5 milionë fëmijë sirianë e kanë të pamundur të shkojnë në shkollë dhe se 3,3 milionë fëmijë, përfshirë edhe ata që jetojnë në rajonet ku konfliktet janë ndalur, ballafaqohen me rrezik nga municionet e pashpërthyera dhe minat tokësore.

Raporti konfirmon 175 sulme ndaj objekteve arsimore dhe shëndetësore dhe personelit të tyre në vitin 2017, duke shtuar se mbi një mijë fëmijë kanë vdekur ose janë plagosur në dy muajt e parë të vitit 2018 në Siri.

Në raport po ashtu theksohet se rreth 40 për qind e personave që kanë humbur jetën nga minat tokësore në Siri janë fëmijë.

Raporti e cilëson si gjendje që përkeqëson pengesat dhe plagët e fëmijëve mungesën e ndihmës së duhur mjekësore dhe psikologjike, ndërsa tërheq vëmendjen se gjasat që fëmijët me aftësi të kufizuara të përballen me dhunë janë më të larta.

“Lufta po vazhdon me tërë intensitetin e saj dhe me një ndikim të papranueshëm dhe të paimagjinueshëm ndaj fëmijëve”, ka thënë Geert Cappelaere, drejtuesi i UNICEF-it për Lindjen e Mesme dhe Amerikën e Veriut.

“Mijëra fëmijë janë vrarë dhe vazhdojnë të vriten. Dhjetra mijëra fëmijë janë plagosur rëndë. Shumica prej tyre do t’i bartin këto mbresa gjatë tërë jetës së tyre. Mijëra fëmijë kanë ngelur të hendikepuar për shkak të luftës”, ka shtuar Cappelaere.

Lufta civile në Siri filloi me kryengritjet popullore të cilat u inicuan me mbishkrimin “Populli dëshiron rënien e regjimit” të shkruar në muret e një shkolle më 15 mars të vitit 2011 nga një grup nxënësish në Dera.

Lufta civile ka mbushur shtatë vite, ndërsa OKB ka theksuar se gjatë saj janë kryer krime një sërë krimesh lufte, siç janë përdorimi i armëve kimike, lënia e popullatës në uri, zhvendosja, rrethimi, burgimet arbitrare dhe torturat.

Qindra mijëra civilë thuhet të kenë humbur jetën gjatë shtatë viteve të luftës, kurse pesë milionë e 600 mijë kanë fituar statusin refugjatë duke braktisur vendin.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: