Nga: DARINA TANUSHI

Kryetarja e Bashkisë së Përrenjasit, ish-deputetja e LSI-së, Miranda Rira kërkoi dje dorëheqjen e ministres së Arsimit, Lindita Nikolla. Rira shkon më tej, kur thotë se koalicioni mes LSI-së e PS-së do të vazhdojë edhe për shumë vite, por kjo nuk përjashton faktin që duhet punuar më mirë në qeveri.
Përfaqësuesja e LSI-së në pushtetin vendor, shkroi dje në një status në rrjetin social “Facebook” se:

“Më lejo ta them hapur, Lindita Nikolla, se je ministrja më e paaftë që njoh”. Pas shprehjes së pakënaqësive nga dhjetëra studentë në lidhje me problemet që kanë hasur për të hyrë në universitete, Rira është shprehur e revoltuar me aleaten e saj në qeveri. “Rrënimi i përpjekjeve të qindra e dhjetëra maturantëve të dëshpëruar duhet të ketë një fajtor. Është e trishtë që akoma sistemi ynë arsimor bën eksperimente nga një vit në tjetrin, duke përdorur mijëra maturantë si kavie për të kuptuar se çfarë duhet e çfarë jo. Janë me dhjetëra maturantë të Bashkisë Përrenjas, me mesatare mbi 9, që nuk kanë arritur të kapin asnjë degë në Universitetin e Tiranës. Më lejo ta them hapur, Lindita Nikolla, se je ministrja më e paaftë që njoh. Habitesha edhe më shumë nga paaftësia jote kur vije në Komisionin e Arsimit gjatë kohës që isha deputete, nga argumentet e dobëta që jepje, vetëm mëk-mëk-et e tua dëgjoheshin. Habitesha se si mund të ishe ministre e Arsimit dhe e Shkencës, kur minimalisht duhej të kishe gradën ‘doktor’, teksa vendi kishte me qindra profesorë të nderuar me tituj”, – shkruan Rira.

“Ke dështuar njësoj si PD-ja, që i qelbi universitetet duke i kthyer në kioska që jepnin diploma. Ke hedhur në kosh ëndrrat e maturantëve dhe djersën e qindra prindërve të ndershëm”, e mbyll komentin e saj, përfaqësuesja e LSI-së. Por më tej, bashkëqytetarët e saj e kanë ngacmuar me pyetje, duke i thënë se a ishte ky mendimi i saj apo i LSI-së. Më tej Rira ka sqaruar se ky është një opinion i saj si kryetare e Bashkisë Përrenjas dhe s’ka lidhje me koalicionin PS-LSI. “Në emër të LSI-së, në lidhje me koalicionin flet zëdhënësja e LSI-së. Unë flas në emër të qytetarëve të Përrenjasit, në emër të maturantëve që po shoh t’u mohohet e drejta për të studiuar! Ne jemi dhe do të vazhdojmë të jemi në koalicion edhe për shumë vite të tjera, por kjo nuk përjashton nevojën që ka koalicioni për të punuar më mirë”, u shpreh Rira. Kryetarja e Bashkisë së Përrenjasit ka qenë edhe pedagoge, ndaj ajo ka ndarë edhe mendimin e saj si e tillë. “Ligjin për Arsimin e Lartë nuk e kanë bërë pedagogët, as kriteret dhe procedurën e përzgjedhjes nuk e kanë bërë pedagogët. Nëse do të na kërkonin një mendim, do t’ua jepnim me kënaqësi!”, u shpreh ajo, duke dhënë hapur kështu edhe mendimin kundër këtij ligji, i cili u kundërshtua nga mjaft pedagogë e intelektualë.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: