Nga: Ornela Manjani

Pikat e basteve sportive apo lojërat e tjera të fatit që janë afër shkollave, institucioneve apo objekteve të kultit, kanë 6 muaj kohë për ta shpërngulur aktivitetin e tyre. Distanca e detyrueshme është 100 metra në të gjitha drejtimet në vijë ajrore larg shkollave dhe institucioneve. E njëjta distancë duhet të ruhet edhe për pikat e basteve me njëra-tjetrën. Ministri i Financave ka firmosur gjashtë urdhra për rregullimin e tregut të lojërave të fatit në zbatim të ligjit të miratuar në vitin 2015, i cili hyri në fuqi në 1 janar të këtij viti. Udhëzimet janë botuar në Fletoren Zyrtare dhe u lënë kompanive gjashtë muaj kohë për plotësimin e kritereve. Një nga urdhrat është ai për mënyrën e përllogaritjes së distancave të subjekteve të lojërave të fatit midis tyre edhe nga institucionet fetare dhe arsimore.
Udhëzimi
Ministri i Financave udhëzon shoqëritë e licencuara në fushën e lojërave të fatit se nuk mund të ndërtojnë, blejnë, marrin me qira apo huapërdorje mjedise të ekspozuara pranë institucioneve fetare, institucioneve të arsimit parauniversitar dhe arsimit të lartë. “Largësia e mjediseve në të cilat ushtrohet aktivitet ‘Lojëra fati’ duhet të jetë jo më pak se 100 m në vijë ajrore nga të gjitha drejtimet nga institucionet e përcaktuara në pikën 1 të këtij udhëzimi. Distancat prej 100 m në vijë ajrore nga të gjitha drejtimet përllogaritet ndërmjet ekstremiteteve më të afërta të mjedisit ku ushtrohet aktiviteti ‘Lojëra fati’ me institucionet e parashikuara në udhëzim.
Distanca mes bizneseve
Distanca ndërmjet pikave sekondare të subjekteve të licencuara në kategorinë e “Basteve sportive” duhet të jetë jo më pak se 100 m në vijë ajrore në të gjitha drejtimet për adresat sekondare. Në çdo rast pikat sekondare të basteve sportive nuk mund të jenë më afër se 100 m në vijë ajrore në të gjithë drejtimet nga institucionet e përcaktuara në pikën 1 të këtij udhëzimi. Organizatorët e licencuar të kategorisë “Baste sportive”, për pikat sekondare pranë të cilave zhvillojnë aktualisht aktivitetin e tyre, janë të detyruar të marrin masat e nevojshme për përshtatjen me kërkesat e përcaktuara në pikën 4 të këtij udhëzimi brenda afatit të parashikuar në ligjin nr. 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”. Në funksion të këtij detyrimi, organizatorët e licencuar të kategorisë “Baste sportive”, brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e këtij udhëzimi paraqesin pranë AMLF-së planin që identifikon pikat aktuale sekondare dhe masat që do të ndërmerren brenda afatit ligjor për respektimin e distancave sipas kërkesave të këtij udhëzimi.
Llogaritja e distancave
Në udhëzimin e ministrit përcaktohet se përllogaritja e distancave të përcaktuara në këtë udhëzim do të kryhet nga individë ose subjekte juridike që zotërojnë licencë profesionale në fushën e studimit dhe të projektimit në ndërtim në profilin inxhinier-gjeodet. Dokumentacioni i lëshuar nga eksperti i licencuar është pjesë e listës së dokumenteve që paraqiten pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për miratimin e hapjes së adresave sekondare të ushtrimit të aktivitetit për kategorinë “Baste sportive”. Ngarkohen organizatorët e licencuar të lojërave të fatit dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit për zbatimin e këtij udhëzimi.
Standardet e sallave
Në udhëzimin nr. 4, Ministria e Financave përcakton standardet minimale që duhet të plotësojnë pikat sekondare të ushtrimit të aktivitetit të shoqërive të licencuara në kategorinë e basteve të miratuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit. Pikat sekondare të shoqërive të licencuara në kategorinë e basteve, pas marrjes së miratimit me shkrim nga AMLF-ja për ushtrimin e aktivitetit, duhet të plotësojnë kushtet dhe standardet minimale.
(Gazeta Shqiptare)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: