“Babushi im më ndje; e di që ti në këtë orë lufton me errësirën, pasi ti e urren atë. Ti pret dritën”. Janë këto fjalët prekëse të vajzës së shkrimtari të madh Dritëro Agolli, Elonës, e cila nuk ka mundur të mos e ndajë me miqtë atë që ndjen tashmë që i ati është sëmurë.

Në një postim të saj në Facebook, të cili e ka shkruar nga Londra aty ku ndodhet bashkë me djalin e vogël,  Elona kalon nga lidhja e saj me të birin tek ajo me të atin, të cilit nuk mund t’i ndodhet pranë. E për ta nxjerrë babain e saj nga errësira Elona thotë se do ishte gati të jepte dhe jetën. Nuk mund të mungonte diçka për penën e tij. Ajo thotë se i ka blerë një shishe bojë e pompë për stilografin.

Postimi i Elona Agollit
“Babushi im më ndje; e di që ti në këtë orë lufton me errësirën, pasi ti e urren atë. Ti pret dritën. Unë jam me pjellën time tani, në një botë krejt ndryshe nga e jona, në një botë ku konsumohet e gëzohet; e ndërsa ti, i përhumbur mendon sesi do të jetë ajo botë e përtejme, ku mbizotëron errësira, ajo çka vështirë për ty si ateist, të mendohet e bukur dhe shpresëdhënëse. Ati im më ndje; unë jam me Luelin e duhet të jem e gëzuar në sytë e tij, paçka se zemra pikon lotë, paçka se mendjen e kam tek ti. Të dua shumë ati im. Nëse do të mund të dhurohej jeta, unë do ta jipja për ty; nëse do të mund të transferohej gëzimi, unë do të bëja çmos të të lumturoja. Sot të bleva një shishe bojë e një pompë për stilografin tënd.

Siç ma dhe porosinë para se të nisesha. Kur të kthehem, do të t’i tregoj dhe e di që do kënaqesh. Do mbushësh penën tënde, që aq ka gërvishur letrën e aq vargje e radhë ka shkruar. Të dua shumë Ati im”

Elona Agolli fbElon

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb