Kristi Vangjeli, mbrojtësi i djathtë i Skënderbeut, në intervistën para ndeshjes që korçarët luajnë nesër kundër Dinamos së Kievit për “Europa League”, shprehet se fakti që kundërshtari do të luaj me lojtarë të rinj mund t’i penalizojë. Futbollisti i korçarëve gjithashtu deklaron se më mirë do të pranonte të mundtë rivalët në kampionat sesa kualifikimi i mëtejshëm në “Europa League”.

“Dhuratat” për rivalët

Ne kemi luajtur mirë në të dyja ndeshjet me Partizanin e Berogradit, por kemi bërë disa gabime dhe kemi dhuruar pikë. Sa shanse kemi? Nuk është plotësisht në dorën tonë dhe nuk jemi favoritë, sepse nuk kemi tifozët. Fakti që ata do të luajnë me disa ndryshime mund të na dëmtojë, sepse disa lojtarë të tyre nuk i njohim fare. Ne duhet të jemi të vëmendshëm dhe të bëjmë më të mirën tonë. Futboll është, jo gjithnjë fitojnë më të mëdhenjtë… Ne kemi ëndërruar gjithnjë që ta kalojmë grupin. Nëse ia dalim mbanë nesër, atëherë mund të bëjmë një surprizë kundër Jang Bojsit, edhe pse ajo skuadër është më e vështirë se sa Partizani i Beogradit. Por gjithsesi ata kanë shanse të mundin nesër Partizanin e Beogradit dhe të na japin ne një shans nëse ia dalim kundër Dinamo Kievit.

Kampionati…

Kemi arritur me meritë deri tani. Nuk duhet të nënvlerësojmë askënd. Kemi një distancë me rivalët, por duhet ta thellojmë atë duke fituar sa më shumë ndeshje që të evitojmë problemet e sezonit të kaluar. Unë jam në një mendje me trajnerin Daja, preferoj më shumë të marr 6 pikë kundër Partizanit dhe Kukësit në dy ndeshjet e radhës se sa të kualifikohemi këtu. Është edhe më logjike kështu, sepse objektiv primar dhe i panegociueshëm është titulli kampion.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb