TIRANE- Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka reaguar ndaj vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë për prishjen e ndërtimeve pa leje nëpër spitale. Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, Vasili shkruan se ky pikërisht ky vendim i parë i Ministrisë së Shëndetësisë, sipas tij, nuk ishte në asnjë pikë të programit të qeverisë për shëndetësinë.

Deputeti Vasili thotë se edhe në vitin 2013 kryeministri Rama tha se i spastruan spitalet nga ndërtimet pa leje, por ky vendim i dytë tregon se ndërtimet janë përsëri aty.

“Ndërtimet pa leje, i njëjti refren qesharak për shëndetësinë në çdo fillim mandati”, shkruan Vasili.

REAGIMI I PLOTE

Ministria e Shëndetësisë ose drejtoria komunale.

Ministrja e Shëndetësisë tha se filloi të prishë ndërtimet pa leje nëpër spitale. Pra, e filloi nga këtu ndonëse ky nuk ishte në asnjë pikë të programit të qeverisë për shëndetësinë.

Në 2013-n, Kryeministri, me bujurdi të madhe, si edhe ministri i Shëndetësisë, mbytën televizionet dhe shqyen fytin duke thënë se i spastruan spitalet nga ndërtimet pa leje.

Kush është fajtori që qenkan ndërtuar prapë gjatë 2013-2017, apo u desantuan nga diku larg? Apo kryeministri iku për turizëm dhe nuk di gjë as për këtë?

Ndërtimet pa leje, i njëjti refren qesharak për shëndetësinë në çdo fillim mandati.

Ështe i qartë që s’ka asnjë vizion për shëndetësinë, s’ka strategji, ka vetëm mediokritet antimjeksor dhe thellim të qorrsokakut ku ajo ka hyrë. Ky është shndërrimi i Ministrisë së Shëndetësisë në një drejtori komunale.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb