TIRANË- Kreu i Grupit të LSI-së, Petrit Vasili ka deklaruar sot në mbrëmje se zgjedhjet e 21 Qershorit nuk do të shtyhen. Këtë deklaratë ai e bëri pas deklaratave të përfaqësuesve të PD-së se nuk do të futen në zgjedhje nëse nuk përfundon procesi i dekriminalizimit.

“Zgjedhjet e 21 qershorit nuk shtyhen. Shantazhi i Partisë Demokratike për shtyrjen e zgjedhjeve lokale është qesharak. Theksoj se PD ka shumicën në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, kjo edhe falë tolerancës sonë si mazhorancë. Por, Partia Demokratike nuk gjen dot kandidatë për zgjedhjet vendore dhe kjo forcë politike nuk ka kandidatë për Bashkinë e Tiranës”, tha Vasili.

I pyetur për çështjen e dekriminalizimit dhe propozimet që PD ka bërë në Kuvend, Vasili u shpreh se PD-së i ka dalë boja me dekriminalizimin. Ai shprehu gatishmërinë e mazhorancës për të zgjedhur kandidatë me integritet për zgjedhjet vendore, ndërsa shtoi se dhe kandidimi i të pavarurve ndihmon demokracinë. “PD-së i doli boja me dekriminalizimin. Mazhoranca do të zgjedhë figura me integritet. Kandidimi i të pavarurve ndihmon demokracinë”, theksoi më tej, Vasili.

REAGIMI I PD
Partia Demokratike ka reaguar ndaj deklaratave të LSI-së në lidhje me dekriminalizimin.

Në reagimin e saj, PD “dënon ashpër qëndrimin e Ilir Metës kundër procesit të dekriminalizimit para zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. Ky qëndrim demaskon synimet e kreut të LSI për të kandiduar dhe përfshirë në fushatën zgjedhore kontigjentë të krimit me qëllim presionet dhe blerjen e votës siç bëri edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Partia Demokratike shton më tej se “është e vendosur të ecë përpara me dekriminalizimin e politikës me çdo çmim. Qytetarët shqiptarë meritojnë një politikë të pastër nga krimi dhe korrupsioni”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: