Nga: DARINA TANUSHI*
TIRANE – Deputetja socialiste, njëherësh edhe anëtare e Komisionit të Reformës në Drejtësi, Vasilika Hysi, vlerëson se kjo reformë “është jo vetëm nevojë, por edhe domosdoshmëri nëse duam vërtet një shoqëri demokratike”. Sa i përket mosdekretimit nga ana e Presidentit të ndryshimeve në ligjin për Gjykatën e Lartë, ajo mendon se; “nga njëra anë, dhe në të njëjtën kohë, kërkesa e Tij për të vazhduar procedurën e dekretit të kandidatëve pa pasur një proces transparent dhe mbi kritere më të plota dhe të matshme të vlerësimit të kandidaturave, nuk vlerësohet se është në të mirë të procesit. Ky problem zgjidhet duke zbatuar një proces transparent dhe mbi kritere objektive lehtësisht të vlerësueshme edhe nga publiku”, tha Hysi, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”.
Znj. Hysi, opozita e bojkotoi edhe mbledhjen e dytë të Komisionit të Reformës në Drejtësi. A prisni që ata t’i bashkohen këtij komisioni?
Reforma në drejtësi është jo vetëm nevojë, por edhe domosdoshmëri nëse duam vërtet një shoqëri demokratike, ku të respektohen të drejtat dhe liritë e cilitdo, të zhvillohen ekonomia dhe mirëqenia. Është sistemi i drejtësisë ai që ka për detyrë të japë drejtësi dhe të rivendosë të drejtat e shkelura. Nëse opozita do të kontribuojë në reformimin e një sistemi të drejtësisë, ajo do të bashkohet. Nëse jo, do të më vinte sinqerisht shumë keq. Shpresoj që opozita të paraqesë emrat e anëtarëve të saj në komision dhe pas miratimit të tyre të bashkohen në mbledhjen e ardhshme të Komisionit të Reformës në Drejtësi.
Një nga argumentet që ka dhënë opozita përmes deputetëve të saj, është se mazhoranca e ka nisur vetë më parë këtë reformë, me ndryshime në ligjin për KLD-në ose për emërimet në Gjykatën e Lartë. Si e vlerësoni këtë?
Janë bërë disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për KLD-në dhe Gjykatën e Lartë, por ato nuk janë reforma në këto institucione. Ndryshimet kanë pasur si qëllim zgjidhjen e ngërçit të hasur në funksionimin e KLD-së dhe zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procesin e zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Reformimi i këtyre dy institucioneve do të jetë pjesë e reformës në drejtësi, që tashmë ka filluar.
Pak ditë më parë, Presidenti ktheu në Kuvend, ligjin për Gjykatën e Lartë, ndërkohë që në një letër ai kërkoi mendimin e grupeve parlamentare për përzgjedhjen e anëtarëve të kësaj gjykate. Ndërsa nga ana e tyre, dy kryetarët e grupeve parlamentare të PS-së dhe LSI-së i sugjeruan Presidentit të rihapë aplikimet. Si do të mund të zgjidhet kjo çështje?
Deri më sot, askush nuk di se sa i plotësojnë kriteret kandidatët që kanë depozituar kërkesat për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe se si renditen ata mes tyre, nëse Presidenti sjell në Kuvend kandidatët më të mirë të listës apo jo. Shpesh, Kuvendi është vënë para një situate që duhet të votojë ose jo kandidaturën që dekreton Presidenti, pa pasur një sistem objektiv përzgjedhjeje të tyre nga ana e Presidentit. Përzgjedhja e kandidaturës bëhet pa transparencë dhe pa vlerësuar dhe renditur kandidatët në bazë të kritereve objektive të përcaktuara në ligj, dhe aq më tepër të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë proces. Është kjo arsyeja që Kuvendi i Shqipërisë miratoi disa shtesa dhe ndryshime në ligjin për Gjykatën e Lartë, që synojnë ta bëjnë procesin e përzgjedhjes së anëtarëve të kësaj Gjykate më transparent për publikun, por edhe për të përcaktuar me ligj kritere më objektive mbi të cilat mund të kandidojnë dhe të përzgjidhen kandidatët nga ana e Presidentit të Republikës. Mosdekretimi nga Presidenti i ndryshimeve në ligjin për Gjykatën e Lartë, nga njëra anë, dhe në të njëjtën kohë kërkesa e Tij për të vazhduar procedurën e dekretit të kandidatëve pa pasur një proces transparent dhe mbi kritere më të plota dhe të matshme të vlerësimit të kandidaturave, nuk vlerësohet se është në të mirë të procesit. Ky problem zgjidhet duke zbatuar një proces transparent dhe mbi kritere objektive lehtësisht të vlerësueshme edhe nga publiku. Gjithashtu, dekreti i Presidentit për kthimin e ligjit do të shqyrtohet nga Komisioni i Ligjeve përsëri dhe do t’i kalojë Kuvendit në seancë plenare.
Në takimin e fundit që Presidenti Nishani pati me reporterin për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, tha se reforma në drejtësi ka ngecur në linjën e retorikës politike. Pse ka ngecur, sipas jush?
Reforma në drejtësi nuk ka ngecur, për më tepër të jetë retorikë politike. Pas vendimit të Kuvendit për ngritjen e Komisionit të Reformës në Drejtësi dhe miratimit të anëtarëve të mazhorancës në këtë komision, pritet që opozita të propozojë anëtarët e saj dhe pas miratimit të tyre në seancë plenare, ata t’i bashkohen komisionit të reformës. Ndërkohë, duke qenë se komisioni ka kuorumin e tij për t’u mbledhur, ai ka organizuar dy mbledhje për të diskutuar dhe miratuar aspektet organizative të punës. Duke qenë se reforma në drejtësi do të jetë gjithëpërfshirëse, kryetari i komisionit dhe stafi i Kuvendit kanë punuar gjatë kësaj kohe për të kontaktuar gjithë institucionet vendase dhe të huaja që këta të fundit të paraqesin propozimet për ekspertët e tyre pranë komisionit. Ndërkohë, Komisioni i Reformës në Drejtësi, në mbledhjen e tij të parë i kërkoi ministrit të Drejtësisë që t’i paraqesë komisionit një dokument të problemeve që ka sistemi i drejtësisë. Sikurse mund të jeni në dijeni, në mbledhjen e dytë të këtij komisioni, u miratuan ekspertët e propozuar nga institucionet kushtetuese, të drejtësisë dhe organizmat ndërkombëtarë që do të asistojnë reformën në drejtësi, plani i punës, struktura e sekretariatit teknik etj. Pra, janë hedhur bazat dhe janë përzgjedhur ekspertët që do të angazhohen në këtë proces. Nga ana tjetër, është krijuar data-base i gjithë personave që do të angazhohen në këtë proces sipas fushave të ekspertizës së tyre.
A besoni se reforma në drejtësi do të përfundojë deri në fund të sesionit, që përfundon diku afër zgjedhjeve vendore, të cilat janë caktuar tashmë në 21 qershor?
Sipas kalendarit të miratuar, Komisioni i Reformës në Drejtësi do të ketë një angazhim maksimal. Numri dhe kualiteti i ekspertëve që janë ftuar të përfshihen dhe ata që kanë propozuar institucionet, kam besim se do të mundësojnë produkte me cilësi. Hapja e portalit online, tryezat e diskutimeve me ekspertë, anembanë vendit, anketat dhe vrojtimet që do të kryhen, mendoj se do mundësojnë vjeljen e mendimeve dhe sugjerimeve nga të gjithë ekspertët e fushës, punonjësit e praktikës, gjyqtarët dhe prokurorët në të gjithë vendin. Disa reforma kërkojnë ndryshime kushtetuese që marrin kohë, për më tepër që në këtë proces do të përfshihet edhe Komisioni i Venecias. Ky i fundit ka procedura dhe afate të funksionimit dhe dhënies së mendimit. Unë kam besim se me ardhjen në Tiranë, në fillim të javës, të Presidentit të Komisionit të Venecias, kryetari i Komisionit të Reformës në Drejtësi do të diskutojë me të për bashkëpunimin mes këtij komisioni dhe atij të reformës në drejtësi. Edhe nëse Komisioni i Reformës në Drejtësi do të ketë nevojë për më shumë kohë, Kuvendi mund të vendosë shtyrjen e afatit. Rëndësi ka që reforma të jetë e mirëkonceptuar, e studiuar dhe të mos nxitohet për hir të afateve.
Mazhoranca ka në plan të bëjë edhe ndryshime në Kodin Zgjedhor. Kur do të nisin këto, pasi kuptohet që nuk ka mbetur shumë kohë nga zgjedhjet. A është menduar se ku do të fokusohen ndryshimet?
Reforma territoriale dikton nevojën e disa ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Në dijeninë time, nuk ka ende një projekt propozimesh që të jetë depozituar në Kuvend. Ndaj nuk mund të flas më shumë për të.
Në seancën e fundit të Parlamentit shumica dhe opozita ranë dakord për një marrëveshje, ku përcaktohet, në një nga pikat, se shumica nuk do t’i përdorë 84 votat pa marrë konsensusin e opozitës. Po në rast se kjo nuk arrihet, siç ndodh rëndom, çfarë do të bëni, nuk do t’i votoni reformat që kërkojnë shumicë të cilësuar?
Më lejoni të bëj një saktësim në pyetjen tuaj. Marrëveshja e miratuar është që, mazhoranca nuk do të përdorë 84 votat pa marrë konsensusin e opozitës, kur kjo është e mundur. Nëse supozojmë se opozita nuk jep konsensus pa shkak dhe nuk bëhet pjesë e procesit, me gjithë mundësitë që u jepen, kjo nuk do të thotë që mazhoranca, e cila është votuar të qeverisë, të mos qeverisë dhe të mos miratojë ligjet. Ju e dini se Komisioni i Ligjeve kishte në kalendar shqyrtimin e dekretit të presidentit, me të cilin ktheu ligjin për Gjykatën e Lartë. Deputetë të opozitës në komision kërkuan shtyrjen e ditës së shqyrtimit, me argumentin se kishin nevojë për më shumë kohë. U vendos që të shtyhet. Ky është konsensus gjithashtu.
Në një tjetër pikë të kësaj marrëveshjeje përcaktohet edhe dekriminalizimi i Kuvendit. A duket pak absurde kjo pikë, në një kohë që asnjëra parti nuk pranon se brenda grupit të saj parlamentar ka elementë të lidhur me krimin? Si do ta zbatoni këtë?
Kushtetuta përcakton kriteret që duhet të plotësojë një person për të kandiduar. Asnjë nismë nuk mund të bjerë ndesh me Kushtetutën. Nëse duan të shtojmë kritere të tjera që duhet të përmbushë një kandidat, ato duhet të shtohen në Kushtetutë. Lidhur me këtë pikë të marrëveshjes, mund të them se do të ishte e dobishme që asnjë parti të mos kandidojë persona që mund të kenë pasur precedentë penalë në jetën e tyre. Lidhur me zbatimin e kësaj marrëveshjeje, le të presim të dëgjojmë propozimet konkrete të opozitës në këtë fushë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: