Kur kanë kaluar disa orë nga ngjarja tragjike, ku një 15-vjeçare humbi jetën pas një ndërhyrje kirurgjikale në këmbë ka ardhur edhe reagimi i spitalit privat.

Ndryshe nga sa u tha spitali sqaron se vdekja e pacientes Blerta Pepa ka ndodhur si pasojë e një komplikacioni të rrallë dhe jo prej mbidozës së anestezisë, apo gabimi njerëzor.

Ndërsa i shpreh ngushëllimet familjes, spitali deklaron më tej se është i gatshëm për çdo hetim mbi ngjarjen duke dhënë edhe arsyes së vdekjes, që sipas tij është hipertermia malinje.

Ndërkohë pas ngjarjes mjeku anestezist ka tentuar t’i japë fund jetës dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

DEKLARATA E SPITALIT
Duke marrë shkas nga ngjarja e djeshme e ndodhur në Spitalin Continental, ku një paciente humbi jetën gjatë një interventi kirurgjikal si dhe nga nevoja për të informuar opinionin publik, duke i shprehur së pari ngushëllimet tona më të thella dhe njerëzore familjes Pepa për humbjen e njeriut të saj të dashur, ju informojmë se:
Dje me datë 15.05.2017 rreth orës 24:00 pas një beteje të gjatë me një nga komplikacionet më të rënda, shumë të rralla dhe me vdekshmëri të lartë, humbi jetën në Spitalin Continental pacientja, Blerta Pepa. Ju bëjmë me dije se; bazuar në vlerësimin e ekspertëve tanë të anestezi – reanimacionit të cilët punojnë në Spitalin Continental si dhe të bashkëpunëtorëve të tyre arritëm në përfundimin se komplikacioni që çoi në humbjen e jetës së pacientes sonë është HIPERTEMIA MALIGNA.

Çfarë është HIPERTEMIA MALIGNA?
Hipertermia Maligna përfaqëson një nga komplikacionet më të rënda dhe shumë të rralla që ndodh gjatë anestezisë. Ajo vjen si pasojë e një defekti genetik dhe që është e pamundur të zbulohet me anë të ekzaminimeve standarde apo të posaçme të kryera para operacionit.

Hipertermia maligna vjen nga çlirimi masiv i energjive termike nga muskujt, si pasojë e aplikimit të substancave anestetike. Dëshirojmë të sqarojmë opinionin publik se protokollet e anestezisë së aplikuara në Spitalin Continental në këtë rast janë të njëjta me ato të vendeve të BE-së. Gjithashtu sigurojmë se niveli profesional i anestezistëve të spitalit tonë është tejet i lartë dhe veçanërisht i mjekut që u përball me këtë komplikacion të rrallë, i cili e ka trajtuar atë me profesionalizëm të lartë dhe devotshmëri në një afat kohor prej disa orësh.

Spitali Continental garanton familjen e të ndjerës dhe gjithë opinionin publik se është i hapur për të bashkëpunuar me të gjitha organet që bëjnë ekspertizën në këtë fushë si dhe ato ligj-zbatuese për t’i shkuar deri në fund kësaj çështje me qëllim heqjen e çdo mundësie për të abuzuar më të vërtetën, siç kemi vërejtur gjatë orëve të fundit nga shumë media, apo individë të caktuar. Jemi thellësisht të keqardhur për dizinformimin e përhapur i cili në jo pak raste duket që është i qëllimshëm. Është e pafalshme të luhet me ndjenjat e njerëzve apo më keq akoma të krijohen kopertuar në kurriz të së vërtetës.
Edhe një herë ngushëllime familjes!

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb