*Prokuroria dhe gjykata mbyllin hetimet, pas kallëzimit të familjarëve të Konstandina Anagnostit

Prokuroria dhe gjykata kanë mbyllur hetimet ndaj disa mjekoligjorëve, të akuzuar nga familjarët e 16-vjeçares Konstandina Anagnostit për shpërdorim detyre. Në kallëzim thuhej se më datën 15.11.2014, në Sarandë ka vdekur e mitura Konstandina Anagnosti, e datëlindjes 08.12.1998. Me datën 16.11.2014, pas vdekjes është kryer akti i ekspertimit mjekoligjor, nga eksperti Elmaz Shaqiri i IML-Tiranë.

Sipas aktit, rezulton se vdekja ka ardhur si rezultat i arrestit kardiak, ndalimit të punës së zemrës në terren të hemorragjisë difuze, në brendësi të trurit dhe edemës së trurit. Çudia ka ardhur më pas, kur nga ana e ekspertit për të mbuluar të vërtetën dhe që të mos ketë mundësi asnjë mjek tjetër të hetojë shkakun e vdekjes, janë zhdukur truri dhe mitra. Me vendimin e datës 2 shkurt 2015, është kërkuar riekspertimi. Ekspertët Zija Ismaili, Admir Sanoimati dhe Fatos Harito kanë kryer riekspertimin duke u bazuar në dokumentacionin e ndodhur në fashikullin e prokurorisë. Sipas tre ekspertëve, nga ekzaminimi mikroskopik i mitrës nuk është konstatuar hemorragji, por konestion i vazave të gjakut. Me kërkesën e babait u është kërkuar autoriteteve greke, që para varrimit t’i bëhej një ekspertim në spitalin e Janinës. Ky ekspertim është kryer nga mjeku ligjor grek, Theodhori Vujukllaqis, me datë 17 nëntor 2014. Sipas mjekut ligjor grek, shkaku i vdekjes është i papërcaktuar për arsye të heqjes së organeve bazë. Sipas tij nuk gjendet truri, laringu, trakea, stomaku, organet gjenitale të brendshme dhe pothuajse me shumë se gjysma e zemrës. Në kampionët e lëngjeve biologjike është zbuluar lidokainë me përqendrime mjaft të larta. Nga kjo dyshohet se në trupin e vajzës janë bërë injeksione me lidokainë. Nga kjo dyshohet se vajza ka qenë shtatzënë dhe ka kryer një abort të sforcuar. Pra shkaku nuk është ai i deklaruar nga ekspertët shqiptarë në dy aktet e tyre.

Në kallëzimin e familjarëve thuhej nga ana e ekspertëve shqiptarë, janë kryer veprime me dashje për të fshehur të vërtetën e ngjarjes së datës 15.11.2014, duke konsumuar elementët e veprës penale të shpërdorimit të detyrës, por dhe të ekspertimit të rremë. Pretendohej se nga ana e ekspertëve janë përpiluar akte të rreme; janë fshehur provat dhe pikërisht organet e brendshme të viktimës; janë prishur provat, duke i dëmtuar ato, duke dhunuar kufomën, duke mos i ruajtur sipas ligjit provat.

Prokuroria, pas këtij kallëzimi, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal. Mbrojtja pretendon se nuk është hetuar zhdukja e organeve të të ndjerës, nuk është hetuar në lidhje me veprimet e kryera nga eksperti 80-vjeçar Fatos Harito, i cili nuk duhet të kishte nënshkruar në akt-ekspertimin e kryer, por vetëm të kishte dhënë mendimin e tij. Mbrojtja pretendonte se prokuroria duhet të vlerësonte veprimet e kryera nga Elmaz Shaqiri, veprime të cilat kanë çuar në zhdukjen e organeve të viktimës si mitra, laringu, bronket stomaku… etj., si dhe arsyet pse duhej t’i çahej kafka, dhe të zhdukej truri. Mbrojtja parashtronte se prokuroria duhet të hetonte arsyet pse janë dërguar indet e një personi tjetër pranë IML-Janinë, për të kryer ekspertim. Megjithatë, Prokuroria e Tiranës pretendonte se me të njëjtin objekt po hetohet edhe nga Prokuroria e Sarandës. Në atë dosje thuhet se më 15.11.2014, është njoftuar policia se në spitalin civil të qytetit të Sarandës, ishte dërguar e pajetë Kostandina, lindur dhe banuese në Janinë, Greqi me gjendje civile Krane Delvinë, e cila kishte ardhur Shqipëri, në datën 14.11.2014, së bashku me shtetasin Spiro Papa, banor i fshatit Grave, i cili punonte si taksist. Nga të dhënat e para hetimore ka rezultuar se në po këtë datë, në mbrëmje, e ndjera ka shkuar te banesa e gjyshërve të saj, në fshatin Krane. Të nesërmen paradite, viktima ka shkuar me taksistin Spiro Papa, te një parukeri e më pas për një vizite mjekësore te stomatologu Nertil Hoxha. Pas këtyre veprimeve, viktima është nisur për të shkuar në Janinë dhe në vendin e quajtur Plakë, ajo është ndier keq. Në këto kushte, shtetasi Spiro Papa menjëherë e ka kthyer atë në Sarandë, duke e dërguar në spital, ku ajo pas disa çastesh ka humbur jetën.

(d.b/Shqip/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: