NGA DR. RUDINA BASHKIM THANASI

Pas njohjes nga shtypi me historinë e dhimb shme të çiftit Hyka nga Pogradeci, humbjes së foshnjës së tyre disaditëshe, dhe pas detajeve që u referuan në media me përgjegjësinë që më takon si specialist i fushës vendosa të shkruaj publikisht disa shënime. Mbase një kuptim profesional i situatës mundet ta lehtësojë situatën, ta bëjë më logjike dhe t’ju ofrojë shpresën për gëzimin e mundshëm të një shtatzënie të suksesshme në të ardhmen. Nga të dhënat e medias tre të dhëna ishin shumë të rëndësishme profesionalisht. Një dermatit i përhapur menjëherë, lindja me cezariane dhe një shtatzëni e humbur përpara.

Nga eksperienca ime me sa është në dijeni mjekësia, është vetëm një lloj sëmundjeje që mundet të japë një dermatit të menjëhershëm te fëmija pas lindjes dhe shkaku i këtij dermatitis është infeksioni me herpes siplex 2 ose 1 fiks në momentin e lindjes. Herpes simplex është një virus që mjafton njëherë i infektuar me të do e kesh gjithmonë. Mund të merret nga nëna te fëmija kështu që mundet edhe të jetë i trashëguar tek njëri nga prindërit. Njëherë që e ka njeri nga partnerët virusin, ai është lehtësisht i transmetueshëm seksualisht ndaj në momentin që e ka njëri partner mund të riinfektojë tjetrin. Mund të jeni mbartës gjatë gjithë jetës dhe të mos e dini.

Trajtimi është gjithmonë simptomatik. Edhe nëse nëna e ka ditur më përpara që ka pasur herpes dhe i janë shfaqur vezikula të dhimbshme dhe djegëse gjatë lindjes, prapë nuk është i trajtueshëm, vetëm terapi për dhimbjen lokale jepet në shtatzëni. Në këtë rast qëndrimi korrekt i vetëm që mund të mbajë mjeku është të bëjë lindje çezariane. Nuk jam neonat, por me sa di unë, fëmijët e sapolindur nuk kanë imunitet akoma. Ndaj rekomandohet që kur nëna ka herpes gjenital të ditur, të mos bëhet lindja natyrale, por me operacion. Nëse nuk është ditur që nëna ka herpes, që nuk është e pamundur, duke njohur natyrën e këtij virusi, përsëri fakti që është bërë lindja me cezariane është vendimi më i mirë i mundshëm dhe e vetmja masë parandalimi. Veziculat përhapen me shpejtësi çahen dhe lëkura humb funksionin e saj primar të mbrojtjes dhe rregullimit të temperaturës, humbje e shpejtë likidesh. Fëmija dehidratohet me shpejtësi. Dhe humbja e jetës vjen si rezultat i mbin-garkimit dhe bllokimit të funksionit të veshkave. (I njëjti proces që ndodh në rastin e djegies në sipërfaqe të mëdha të lëkurës)

Me shumë keqardhje dhe dhimbje, por e vërteta është që çfarëdo ndihme që mund t’i jepej në Tiranë apo në çdo spital të botës, shanset e mbijetesës do ishin minimale, dhe jo për shkak të asaj që mund të ofronte mjekësia në këtë moment, vetëm do i zgjasnin agoninë bebes së sapolindur. Ajo që duhej bërë ishte hidratim intensiv dhe mbyllje e menjëhershme e lëkurës, por edhe një rritje e imunitetit të trupit që të bllokonte përhapjen e infeksionit. Gjëra që janë shumë të vështira te një i rritur i shëndetshëm dhe pothuajse të pamundura tek një bebe e sapolindur. 3. Çifti ka pasur edhe një shtatzëni të humbur me përpara, extrauterine. Ky fakt tregon që nëna mund të ketë pasur një infeksion të vjetër në aparatin riprodhues, mundësisht bakterial ose parazitar. (pa simptoma e ka edhe bashkëshorti.) Dhe me siguri do ketë pasur vaginite premestruale. Fatkeqësisht këto bakterie dhe parazite dalin në 50 % të rasteve fals negative në analiza. Dhe ky është një fenomen botëror, jo vetëm shqiptar.

Nuk është në varësi të kompetencave të mjekut dhe as të laboratorit. Këto informacione, nuk e kthejnë dot fëmijën tek prindërit, por munden t’ju rrisin maksimalisht shanset për një shtatzëni dhe lindje të suksesshme në të ardhmen. Mund të kenë ndikuar edhe faktorë të tjerë, infektivë dhe bakterialë, sepse përditë në mjekësi po shfaqen sëmundje të reja të panjohura me parë, por edhe manifestime të ndryshme të panjohura të sëmundjeve të ditura. Dëshiroj që të përmbush maksimalisht përgjegjësinë time si profesioniste e fushës, jo vetëm duke shkruar këto radhë publikisht në ndihmë të të gjithë palëve, por edhe duke bërë një ofertë konkrete për familjen Hyka nga Pogradeci. Me gjithë dashamirësinë time ju ofroj ndihmën time të pakushtëzuar, konsultat e mia falas për zgjidhjen e plotë të këtij problemi. (Për të kontaktuar me Dr. Rudina Thanasi, ju lutem, shkruani një email te [email protected])

ÇMITIZIMI I SËMUNDJEVE SEKSUALISHT TË TRANSMETUESHME
Rritja e informimit dhe kontributi ynë si profesionistë të fushës në edukimin e shoqërisë lidhur me sëmundjet seksualisht të transmetueshme do të ulë stresin dhe ankthin që ekziston rreth sëmundjeve seksualisht të transmetueshme (STT). Po të shtosh këtu edhe turpin dhe pështjellimin që vjen nga informacione jo gjithmonë të sakta, misioni ynë bëhet edhe më i çmuar në ndihmë të shoqërisë. Informimi sa më i saktë, gjithashtu, na ndihmon të gjithëve të çmitizojë disa mite urbane që na prishin me kot qetësinë, marrëdhënien në çift, besimin në vetvete dhe shëndetin. Duke punuar prej vitesh me pacientë të nënshtetësive, moshave, klasave sociale dhe ekonomike të ndryshme fillon të observosh që disa faktorë të përgjithshëm ndikojnë te ne të gjithë, pa diskriminim gjinie, shtetësie, ngjyre apo gjendjeje sociale dhe ekonomike. Këta faktorë të përgjithshëm janë gjithmonë të lidhur drejtpërdrejt apo indirekt me jetën seksuale, përjetimin e seksualitetit dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Po ashtu, shumë shqetësues është edhe konstatimi i faktit se ka shumë pacientë që lindin me SST, pasi e kanë të trashëguar, në disa raste edhe në disa breza, dhe as nuk e dinë që janë të sëmurë. Për më tepër nuk e njohin gjendjen e të qenit i shëndetshëm. Komplikimet e sëmundjeve seksualisht të transmetueshme janë të shumta, dhe të mirëfshehura.

Në kushte të tilla pacienti shkon te mjekë me specialitete te ndryshme. Të gjithë i japin shërbimin e duhur, kryesisht duke bërë trajtime simptomatike, megjithatë shqetësimet vazhdojnë. Pacienti fillon të frustrohet se sapo mbaron një sëmundje, fillon tjetra. Dhe me të drejtë, nuk ka se si t’u shkojë mendja se meningjiti, hepatomegalia, uretritet, cistitet, ndërprerjet e shtatzënive, rënia e flokëve apo flokët e rrallë, vështirësia për të bërë fëmijë, humbja e fëmijës, sëmundjet e të sapolindurit, shterpësia apo psikoza mund të vijnë edhe thjesht si rrjedhojë e një sëmundje seksualisht të sransmetueshme (SST shkurtimisht) të rëndomtë, të fshehur, e cila është lehtësisht e trajtueshme me një dozë të vetme të antibiotikut të duhur. Jo të rralla janë po ashtu edhe rastet e trajtimeve të gjata dhe të çuditshme, gati legjendare, nga disa muaj deri në disa vite të SST-ve të zakonshme, me antibiotikë të shkëlqyer, por jo funksionalë në rastin aktual, të cilat vetëm e traumatizojnë pacientin dhe ndërtojnë mite urbane vështirë të kapërcyeshme mbi pashpresmërinë e trajtimit të SST-së. Mite që kanë të bëjnë me gonorrenë, klamidian apo sifilizin primar, makthe urbane që demoralizojnë miqtë dhe të njohurit e pacientit t’i drejtohen doktorit në të ardhmen.

Si doktoreshë, më duhet jo vetëm të trajtoj pacientin, por edhe të kujdesem që t’i largoj ankthin ndaj sëmundjes dhe ndërlikimeve të paragjykimit social. Një arsye po aq e rëndësishme janë paradokset urbane të himenit. Mbi gojëdhëna se si duhet të jetë ky himeni dhe çfarë bombe shpërthyese pritet të bjerë natën e parë të martesës. Informacione të ofruara me shumë dashamirësi nga të afërm dhe miq, por që për shkak të mungesës së bazës mjekësore korrekte, bëhen shkak për shkatërrimin e familjeve të tëra të pafajshme. HERPES SIMPLEX Është një tjetër sëmundje e transmetueshme seksualisht, e shkaktuar nga Virusi Herpes simplex1, 2. Por transmetohet edhe nga nëna te fëmija. Një njeri mund të jetë tërë jetën i infektuar me Herpes dhe të mos e dijë dhe as të mos sëmuret. Më shumë se 50% e botës konsiderohen të infektuar. Për shumë kohë konsiderohej se Herpes Simplex 1 ishte zakonisht në zonën e fytyrës dhe në buzë, herpesi i famshëm që e njohim të gjithë. Por është dhe herpes simplex 2 në zonën gjenitale. Por të dyja këto viruse shfaqen gjenitale, por edhe në gojë, fytyrë etj.

Shumë studime kanë konfirmuar se herpes simplex 1 është përgjegjës për shumicën e manifestimeve edhe në zonën gjenitale. Shfaqet në formën e disa flluskave të vogla afër njëratjetrës, shumë të dhimbshme, që rriten dhe vazhdimisht dalin të tjera. Shumë purulente. Shoqërohet, paraprihet dhe vazhdohen me dhimbje, pickime, skuqje dhe ënjtje, duke lënë shpeshherë shenja dhe zona të mbindjeshme apo të pandjeshme, sidomos në mukoza. Mund të transmetohet nga nëna te fëmija dhe në transfuzione. Periudha e inkubimit është deri në 45 ditë. Në rastin që shtatzëna dihet të këtë Herpes aktive, lindja rekomandohet të behet me operacion. Arsyeja është se për shkak se fëmija i sapolindur nuk ka imunitet, herpesi simpleks duke qenë shumë ngjitës përhapet shpejt nëpër të gjithë lëkurën e fëmijës dhe fëmija humb jetën si pasojë e humbjes së shpejtë të likideve dhe bllokimit të veshkave. Siç ndodh në një djegie të gradës së parë. Është virus. Nuk ka trajtim për gjithë jetën. Një herë i infektuar, gjithmonë do të jetë në trup dhe do të manifestohet sa herë bie lehtë imuniteti, ndryshon përnjëherë temperatura e ambientit apo kur ke një emocion të fortë.

Sigurisht, zbulimet e Luc Montagnier sjellin një vizion të ri të mundshëm për trajtimin e viruseve. Antibiotikë dhe valë elektromagnetike. Ende të pa vëna në praktikë, por me shumë shpresë dhe perspektivë në të ardhmen. Specifike dhe interesante e këtij lloj virusi është se ai qëndron midis fundeve nervore dhe në çdo ndryshim sado të lehtë, shpërthen. TRAJTIMI Trajtimi është kryesisht simptomatik, kundër dhimbjes. Shumë efektivë janë kremrat anestezikë lokalë meqenëse qetësojnë dhe stabilizojnë membranën qelizore, antiinflamatorët, si lokalë, edhe nga goja. Po ashtu, edhe aciclovir capsule dhe comprimate. Por acicloviri capsule apo komprimat, ka efekt nëse administrohet vetëm brenda 3 ditëve të para pas shfaqjes. Aciclovir krem apo xhel lokal te më shumë se 70% e njerëzve vetëm e rëndon më shumë situatën. Është specifike një ndjesi nxehtësie, kruarjeje, ënjtjeje dhe mbindjeshmërie disa ditë ose orë përpara shfaqjes së herpesit te personat që e dinë që kanë herpes.

Nëse prezantoheni menjëherë tek mjeku, mund edhe ta parandaloni apo minimalizoni shfaqjen e herpesit. Është shumë i dhimbshëm dhe shoqërohet me ënjtje dhe sekrecione purulente. Ka persona që bëjnë forma të shpeshta rekurrente. Kur këto shfaqje janë 6 apo më shumë herë në një vit, një trajtim i vazhdueshëm në puls terapi apo të përditshme me sasi të vogla aciclovir- i nga goja, antiinflamatore dhe imunoran, rekomandohen. Po ashtu, shpesh shfaqet nevoja për terapi dhimbjeje, kur lë pas hiperestezi (mbindjeshmëri) apo korrektim estetik të konturit të buzës për shkak të shenjave cikatrizuese dhe hiper apo hipopigmentimeve (ndryshimit të ngjyrës më e pigmentuar apo më pak e pigmentuar).

* Dermatolog – Venerolog

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb