TIRANE- Prokuroria e Tiranës ka kërkuar sot 5 vite burg për dy mjekët që kishin në ngarkim rastin e gruas së portierit të Partizanit, Alban Hoxha, Dorjana Haka, e cila humbi jetën pas lindjes, duke i deklaruar ata fajtorë.

Gjatë pretencës së dhënë sot, organi i akuzës ka deklaruar fajtorë Petrit Rexhepin dhe Elona Burbën, duke kërkuar që ata të dënohen. Sakaq, prokuroria kërkoi që mjekët ndër të tjera mos të ushtrojnë profesionin. Burba, anestezite dhe Petrit Rexhepi, mjek obseter¬gjenekolog, akuzohen për veprën penale “Mjekim i pakujdesshëm”.

Aktakuza
Prokuroria theksoi se hetimi për vdekjen e Dorjana Hakës nisi në 4 dhjetor 2014, pas kallëzimit të bërë nga ana e babait të saj, Enver Haka. Ai u ka thënë hetuesve se e bija, e cila priste të sillte në jetë fëmijën e parë, që në fakt lindi një djalë që gëzon shëndet të plotë, nuk kishte shfaqur asnjë shqetësim shëndetësor, as para dhe as në momentin kur u dërgua në maternitet. Në dosjen e prokurorisë thuhet se në maternitet Dorjana është shoqëruar nga bashkëshorti, Alban Hoxha, prindërit dhe vjehrra e saj. Para se të shtrohej në maternitet – theksohet në dosje – vjehrra e Dorjanës kishte biseduar me një miken e saj, konkretisht anestezisten Burba të maternitetit “Koço Gliozheni”, të cilat kishin planifikuar datën dhe orën e shtrimit për lindje. Theksohet në dosje gjithashtu se Dorjana Haka ka mbërritur në maternitet në orën 09:00 të datës 4 nëntor 2014. Fillimisht gjithçka dukej sikur shkonte më së miri, por pas lindjes tek Dorjana Haka janë vërejtur probleme shëndetësore dhe disa ditë më vonë e reja ka ndërruar jetë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: