TIRANE – Presidenti i Republikës, Bujar Nishani ka shprehur ngushëllime për ndarjen nga jeta të akademikut Mark Krasniqi. Në mesazhin e tij, kreu i shtetit thekson se “me ndarjen nga jeta të akademikut Krasniqi, kombi ynë ka humbur një nga shtyllat kryesore të mendimit kombëtar, një pajtimtar të madh dhe një udhërrëfyes të shqiptarizmës”.
“Lajmi për ndarjen nga jeta të akademikut Mark Krasniqi (Nderi i Kombit), na ka pikëlluar të gjithë ne. Në këtë moment të dhimbshëm, më lejoni që në emrin tim dhe të familjes sime, t’ju përcjell ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e bashkëshortit dhe babait të dashur, bashkëkombasit, akademikut, profesorit, letrarit, etnografit, publicistit dhe politikanit tonë. Me ndarjen nga jeta të akademikut Mark Krasniqi, kombi ynë ka humbur një nga shtyllat kryesore të mendimit kombëtar, një pajtimtar të madh dhe një udhërrëfyes të shqiptarizmës. Jeta, vepra, puna dhe amaneti i akademikut Mark Krasniqi janë mësimi më i mirë se si duhet të jetohet, veprohet dhe punohet për të mirën e kombit. Ndarja nga kjo jetë e akademikut Mark Krasniqi, është humbje e madhe për të gjithë kombin tonë. I dashur Profesor Mark, Prehu në paqe të përjetshme!”- përfundon mesazhi i presidentit Nishani.
Akademiku Mark Krasniqi është shuar dje në orët e para të mëngjesit në spitalin e Prishtinës. 95-vjeçari pati lindur më 19 tetor 1920 në Pejë, ka studiuar në Padova, Beograd dhe Lubjanë. Në vitet 1961-1981 ishte profesor në Universitetin e Prishtinës, deri atëherë kur pushteti antishqiptar serbo-komunist e përjashtoi nga procesi mësimor.
Ka qenë prodekan dhe dekan, nënkryetar e kryetar i ASHA-s së Kosovës, dhe kryetar i Partisë Shqiptare Demokristiane të Kosovës. Ka botuar dhjetëra libra shkencorë e letrarë dhe shumë tekste publicistike e shkollore dhe ka përkthyer disa romane e përmbledhje poezish. Si një ndër intelektualët më të shquar të Kosovës, ai mbetet, në historinë e shkencës dhe kulturës shqiptare, me kontribute të spikatura në disa fusha të dijes, si në atë të folklorit, etnografisë, gjeografisë, antropogjeografisë, mitologjisë, etnologjisë, etnopsikologjisë, publicistikës dhe krijimtarisë letrare. Ai ka marrë “Medaljen e Artë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit” dhe çmimin “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Shqipërisë, B. Nishani në vitin 2014. Për humbjen e tij familjes i kanë shprehur ngushëllime Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, si edhe kreu i opozitës, Lulzim Basha e ai i Kuvendit, Ilir Meta.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb