TIRANE- Ambasada shqiptare në Francë ka reaguar lidhur me vdekjen e 23-vjecarit Florenc Beqiraj, që ndërroi jetë dje në një spital të Marsejës. Sipas Ambasadës i riu u deklarua i vdekur dje, ndërsa i kanë shprehur ngushëllime familjes së tij.

Po ashtu, Ambasada thekson se janë në pritje të hetimeve për përcaktimin e rrethanave se si ndodhi ngjarja. Siç u raportua dhe më herët, i riu shqiptar ra në koma, pasi sipas autoriteteve të burgut ai kishte tentuar t’i jepte fund jetës. Ndërkohë familjarët e tij mohuan versionin, duke akuzuar kështu gardianët e burgut se këta të fundit kishin ushtruar ndaj tij dhunë. Tashmë pritet një version përfundimtar rreth ngjarjes që preku dhe solidarizoi shumë shqiptarë.

NJOFTIMI I AMBASADES
Duke u nisur edhe nga interesimi i veçantë mbi rastin e shtetasit zotit Florenc Beqiraj, i cili ndodhej prej disa ditësh në gjendje kritike në spitalin Nord të Marsejës (Francë), Ambasada e Shqipërisë në Francë njofton me hidhërim të thellë se, sot pasdreke, ai është deklaruar i vdekur nga autoritetet spitalore franceze. Për këtë gjë, janë njoftuar familjarët e të ndjerit, përfaqësuesit ligjorë të familjes, dhe Ambasada.

Ambasada e Shqipërisë, e cila që prej njoftimit të ditës së parë e ka ndjekur nga afër rastin e të ndjerit Beqiraj, në kontakt me autoritetet policore dhe gjyqësore-hetimore dhe me ato mjekësore-spitalore të qytetit të Marsejës, si edhe me të afërmit e tij, i shpreh familjes dhe të afërmve të të ndjerit për këtë humbje të të dashurit të tyre, ngushëllimet e saj të sinqerta, si edhe ato të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Duke vazhduar ta ndjekë nga afër çështjen si me autoritetet policore dhe gjyqësore franceze, në pritje të përfundimit të hetimit zyrtar lidhur me rrethanat e vdekjes së të ndjerit Florenc Beqiraj, ashtu edhe me përfaqësuesit ligjorë të familjes, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ambasada e Shqipërisë janë të angazhuara maksimalisht për të qenë pranë të afërmve dhe për kryerjen e lehtësimin e të gjitha procedurave të parashikuara në këto raste sipas ligjit. Ajo risjell gjithashtu në vëmendje se mbrojtja e interesave të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj jashtë Shqipërisë është prioritet kryesor i veprimtarisë së qeverisë, e më posaçërisht i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe i përfaqësive të saj në botë.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: