KUKËS- Një ditë pas ngjarjes tragjike në maternitetit të Kukësit ku humbën jetën nëna 39-vjeçare dhe foshnja i palindur, detaje të reja mësohen për gjendjen e saj dhe shkaqet e vdekjes. Mjekët e maternitetit bënë me dije për “BalkanWeb” se pacientja me inicialet N.P., u paraqit në urgjencën e maternitetit Kukës, më datë 11.3. 2018 në gjendje të rëndë shëndetësore, me diagnozën fetus morti me laceracion dhe rupturë të shprehur të uterusit.

Ajo është reanimuar dhe është ndërhyrë menjëherë në sallën e reanimacionit nga ekipi i mjekëve gjinekologë, kirurgë dhe anestezistë reanimatorë, ku bënte pjesë edhe mjeku kirurg nga Tirana, i cili po jep shërbim në spitalin e Kukësit përmes programit të bonusit.

Sipas mjekëve mësohet se pacientja ka tentuar disa herë në shtëpi të dëmtojë barrën për shkak të problemeve sociale dhe është paraqitur në spital të gjendje të rënduar me hemorragji të shprehur.
Gjatë ndërhyrjes kirurgjikale ka vijuar gjendja e rëndë e pacientes të cilës gjatë kësaj kohe i është dhënë 5 njësi gjak dhe 3 njësi plazëm por ka qenë pa puls periferik gjatë gjithë kohës.

Pavarësisht përpjekjeve të mëdha të ekipit mjekësor e sëmura ndërroi jetë në ora 01 e 30 të natës.
Nga ana tjetër policia deklaron se është njoftuar sot në orën 08:30, nga Spitali Rajonal Kukës, se në orët e para të mëngjesit, në maternitetin e Kukësit, gjatë lindjes ka gjetur vdekjen shtetasja N.P., banuese në Kukës, së bashku me foshnjën.

Trupi i pajetë i nënës dhe foshnjës, ndodhen në morgun e spitalit të Kukësit, ndërsa familjarët kërkojnë zbardhjen e plotë të ngjarjes. 39-vjeçarja ishte nënë e 6 fëmijëve.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb