TIRANE- Bashkia e Tiranës ka përfunduar rehabilitimin e një tjetër blloku urban në zonën e njohur si pallatet e “Agimi”, në Njësinë Administrative nr. 5. I pranishëm në përurimin e këtij blloku banimi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se në këtë zonë është punuar me cilësi, ashtu si në të gjitha blloqet e tjera urbane që janë rehabilituar nga bashkia.

“Më në fund kemi zënë mend dhe si çdo komb i civilizuar, fillimisht bën punimet nëntokësore e më pas ato mbitokësore. Më vjen mirë sepse kjo është një ndër zonat që reputacionin e ka shumë të madh, por ne realitet le shume për të dëshiruar. Pra, zona e ka emrin zona e Bllokut, por ama pas fasadave të lokaleve e pub-ve, ka qenë një mizerie e denjë për Afrikë, me ujëra të zeza që nuk kishin ku shkarkoheshin, ujëra shiu që përmbysnin çdo bodrum e pallat dhe me një infrastrukturë e cila vetëm degjeneronte vlerën e pronës në të gjitha pallatet e shtëpitë e kësaj njësie”, tha Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës sqaroi se pas punimeve te zona e Shushicës, investimi tek pallatet Agimi, është i dyti i Bashkisë së Tiranës, për të treguar që duhet të ndërtojmë jetën në komunitet jashtë qendrës. “Është shumë mirë që të kemi një qendër, si çdo shtëpi ka një dhomë ndenje që është më e stolisur, ama është shumë e rëndësishme që çdo lagje dhe çdo rrugicë në nivelin kapilar të komunitetit tonë të jetë në gjendje dinjitoze”, u shpreh Veliaj. Sipas tij, cilësia e Tiranës varet nga cilësia e lagjeve te saj. “Më vjen mirë që të paktën dy lagje të rëndësishme në njësinë 5 i kemi në një cilësi të jashtëzakonshme dhe shumë të denjë për qytetin tonë”, theksoi Veliaj.

Kryebashkiaku apeloi ndaj gjithë banorëve të zonës që të kujdesen për investimin e bërë nga Bashkia e Tiranës në lagjen ku ata vetë jetojnë. “Do të doja t’u bëja apel të gjithë banorëve të lagjes. Së pari, ta ruajnë. Së dyti, ata të raportojmë çdo vandalizim e uzurpim, sidomos ato që na pengojnë komunikimin, ndërtime muresh, gardhesh që nuk i kanë hije një qyteti në vitin 2016. Ndaj, u kërkoj të gjithë qytetarëve që të vazhdojnë t’i ruajnë investimet që bën Bashkia e Tiranës”, deklaroi Veliaj. Sipas tij, këto investime bëhen me financat e tyre dhe bashkia i menaxhon më mirë ato financa modeste, por është detyra e të gjithëve që t’i ruajmë.

Krahas investimeve në blloqet urbane, kryetari i Bashkisë së Tiranës theksoi se në këtë njësi administrative janë bërë edhe investime të tjera në infrastrukturën sociale, kopshte, shkolla dhe çerdhe. “Njësia nr. 5 është numër një në Tiranë, jo vetëm për nga numri i popullsisë, por edhe nga korrektesa e pagimit të taksave, ujit e energjisë elektrike. Unë besoj që kjo formulë ku qeveria, Bashkia respekton të parët ata që janë më korrektë, është mënyra më e mirë për të ecur përpara”, tha Veliaj.

Në punimet e këtij blloku urban janë rikualifikuar tre zona brenda rrugëve “Gjin Bue Shpata”, “Pjetër Bogdani”, bulevardi “Bajram Curri” dhe “Ibrahim Rugova”. Në të tre zonat që janë në mes të pallateve ekzistuese dhe atyre të reja, është ndërhyrë në infrastrukturë rrugore, me punime për ujësjellësin, ujërat e zeza dhe për ujërat e shiut. Të gjitha sipërfaqet janë riasfaltuar, duke krijuar rreth 7600 metra katrorë asfaltime të reja dhe rreth 3700 metra katrorë trotuare të reja me pllaka. Të gjitha rrugët janë rikonstruktuar me ndriçimin përkatës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: