TIRANE- Mungesa e kanalizimeve që shkaktojnë përmbytje sa herë bie shi dhe pallatet pa hipoteka ishin dy nga shqetësimet kryesore për banorët e njësisë nr.8 në Tiranë. Kandidati i majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, dëgjoi problemet e banorëve të kësaj zone të qytetit dhe u premtoi atyre zgjidhje pas 21 qershorit.

“Gjithë dimrin unë e di se çfarë heq. Uji na vjen deri në shtëpi”, tha një banor i shqetësuar se i përmbytet shtëpia pas çdo shiu. “Kur bie shi, ka përmbytje. E gjitha kjo për një kanal 5 metra nga rruga kryesore. Ujin e kam nxjerrë me fshesë”, thotë një tjetër.

Nga ana tjetër, Veliaj tha se zgjedhjet në bashki janë për të bërë punën.
“Zgjedhjet në bashki janë për të bërë punë. Nëse njerëzit duan punë, ne jemi gati që t’i hyjmë punës dhe t’i rrimë te koka. Nuk ka mundësi të ketë një qytet ku kryetari i bashkisë i jep vetes leje të bëjë katin e 13, ndërkohë që njerëzve të lagjes së vet nuk i jep leje të zhvillojnë pronën e tyre”, tha kandidati Veliaj.

Ai shtoi se kur prezantoi programin për njësinë nr.8, foli konkretisht për zhbllokimin e hapësirave të zëna, pa asnjë tolerim. “E filluam me INUK-un, por bashkia nuk na mbështeti, madje nuk hoqi as mbetjet e ndërtimeve pa leje në mes të rrugës”, tha Veliaj.

Një banore shprehu shqetësimin për hipotekimin e pallateve, të cilat edhe pse u premtuan nga kryebashkiaku aktual, Lulzim Basha, 4 vjet më parë, nuk u bë asgjë. “Kam shkuar në bashki dhe na ka thënë që nuk kemi çfarë t’i bëjmë, duhet ta bëjë ndërtuesi”, u shpreh ajo.

“Në pallatet ku nuk është bërë hipotekimi, do ta bëjë bashkia. Luli premtoi para katër vitesh se do hipotekonte 400 pallate. Ligji e thotë qartë: Aty ku nuk është bërë kolaudimi dhe dokumentet teknike, duhet t’i bëjë bashkia. Kështu që, bashkia duhet t’i bjerë prapa investitorit sepse njerëzit s’kanë pse vuajnë për pronën e tyre. Meqë ke shkuar te bashkia dhe të kanë kthyer mbrapsht, më datë 21 qershor kthejmë mbrapsht bashkinë dhe marrim një kryetar tjetër”, u përgjigj Veliaj. Gjithashtu, ai vuri në dukje edhe propozimin për t’i hapur për komunitetin të gjitha shkollat, në mënyrë që ato të vijojnë aktivitetin edhe pas orëve të mësimit.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: