TIRANE- Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti dje në një takim të veçantë një përfaqësi të komunitetit arbëresh, që morën pjesë në aktivitetet e zhvilluara në Tiranë me rastin e 550-vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Ndërsa, falenderoi shqiptarët e Italisë për gjithçka kanë bërë në shekuj për të mbajtur gjallë gjuhën, zakonet dhe traditat shqiptare, kreu i Bashkisë së Tiranës u dhuroi atyre në shenjë mirënjohje “Çelësin e Qytetit”.

“Ne nuk mund të biem pre e folklorizmit dhe të takohemi çdo 50 vjet për jubile, por duhet ta mbajmë gjithmonë një derë të hapur. Besoj se simboli më i mirë i mbajtjes së një dere të hapur është kur i jep çelësin e shtëpisë. Ndaj dua t’ju dorëzoj, si përfaqësues i të gjithë delegacionit arbëresh, “Çelësin e Qytetit” të Tiranës, për t’ju kujtuar që kjo është një derë gjithmonë e hapur, jo vetëm kur përkujtojmë Skënderbeun, por çdo ditë, në çdo mot. Shpresoj që ky mot i madh të jetë një simbolikë e fortë për të na kujtuar që kemi humbur shumë kohë të ndarë, por asnjëherë nuk është vonë për ta rikuperuar atë kohë, sidomos me brezin e ri”, tha kryebashkiaku i Tiranës.

Veliaj shtoi se kjo simbolikë duhet të shërbejë për të gjithë arbëreshët, sidomos për të rinjtë që të ecin në gjurmët e të parëve të tyre, të ruajnë lidhjet me vendin mëmë. “Do doja që për të rinjtë ky të ishte një çelës për t’u përdorur. Pra, për të ndertuar një kalendar shkëmbimesh, qoftë për të mësuar gjuhën shqipe gjatë verës me grupe studentesh edhe gjimnazistësh, për të inkurajuar pak më shumë turizmin reciprok etj. Ka një grup të madh italianësh që vijnë në Shqipëri falë edhe prej faktit që arbëreshët flasin mirë për Shqipërinë dhe e promovojnë dhe anasjelltas. Do donim që shumë shqiptarë që po udhëtojnë gjithmonë e më tepër, përveç se të vizitojnë qendrat kryesore italiane, të kenë një sy hapur këtu dhe një kujdes edhe për turizmin në zonat tona, sepse besoj që, nëse ndihmojmë njëri-tjetrin edhe ekonomikisht, nëse ndihmojmë njëri- tjetrin edhe me gjuhë, fuqizohemi më shumë. Eshtë një formulë me të cilën fitojnë të gjithë”, u shpreh ai.

Në emër të komunitetit arbëresh, Francesco Altimara falenderoi kryebashkiakun Veliaj për mikpritjen, ndërsa shprehu mirënjohjen për kujdesin që tregon Bashkia e Tiranës për ruajtjen e lidhjeve me shqiptarët e hershëm të Italisë. “Kjo është një shenjë nderimi për komunitetin arbëresh, për atë që po bën e atë që do të bëjë në sintoni me atë që keni thënë sepse duhet që këto dyer t’i mbajmë hapur, çelësi duhet jo për t’i mbyllur dyert, por për të hapur perspektiva të reja, sidomos për brezat e rinj, sepse ajo që është bërë në të kaluarën nuk na shërben ne, por i shërben gjeneratës së re e me këtë predispozitë që keni treguar sonte jemi të sigurt se këto shtigje të reja janë çelur”, tha Francesco Altimara.

Një grup arbëreshësh iu bashkuan dje një sërë aktivitetesh të organizuar në 550 vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, ndërsa në shenjë simbolike i shpresës, miqësisë dhe i jetës ata mbollën 550 pemë ulliri në afërsi të Kalasë së Petrelës.
thumbnail_Veliaj gajte dorezimit te Celesit te Qytetit per Komunitetin Arberesh (6)

thumbnail_Veliaj gajte dorezimit te Celesit te Qytetit per Komunitetin Arberesh (2)

thumbnail_Veliaj gajte dorezimit te Celesit te Qytetit per Komunitetin Arberesh (3)

thumbnail_Veliaj gajte dorezimit te Celesit te Qytetit per Komunitetin Arberesh (4)

thumbnail_Veliaj gajte dorezimit te Celesit te Qytetit per Komunitetin Arberesh (5)
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: