TIRANE-Veteranët mbështesin kandidatin e koalicionit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj. Në një takim me Komitetin e Veteranëve të Luftës, i shoqëruar edhe nga deputeti i PS, Pandeli Majko, kandidati Veliaj mori mbështetjen e tyre në garën për kryebashkiak dhe u kërkoi atyre që në ditët e mbetura, deri më 21 qershor, të inkurajojnë të gjithë banorët për të dalë në votime. “Duke ju falenderuar me gjithë zemër mbi kontributin për zgjedhjet e lokale që po afrojnë, nga sot kemi edhe 12 ditë, çka do të thotë që secili prej nesh duhet të inkurajojë gjithë Tiranën, edhe 13 komunat që na janë bashkuar, që të shkojmë në drejtimin e duhur. Unë ndihem sot i bekuar, i lumtur dhe mirënjohës që kam të gjithë mbështetjen tuaj”, deklaroi Veliaj.

Në fjalën e mbajtur në takimin e zhvilluar në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, kandidati i majtë deklaroi se do të përkushtohet në krye të bashkisë së Tiranës për të mundësuar që të rikthejë në çdo lagje hapësirat publike në shërbim të veteranëve. “Do të krijojmë hapësira ku veteranët të kenë mundësi ku me një kosto të ulët të lexojnë gazetat, të pijnë një kafe, ashtu siç Edi Rama bëri deri në vitin 2011”, tha Veliaj. Ai kërkoi bashkëpunimin e këtij komuniteti për të mundësuar një bashkëveprim më të mirë me bashkinë, ku për 11 minibashkitë dhe 13 komunat që janë sot, të caktohet një përfaqësi që do të mbajë komunikimin me të, gjatë mandatit.

“Për të gjitha këto jam shumë i vëmendshëm dhe do të jem shumë i kujdesshëm që në secilën prej 24 njësive të kemi 24 partneritete me Komitetin e Veteranëve”, deklaroi Veliaj. Ai sqaroi se në krye të Bashkisë së Tiranës do të vendosë një zë të veçantë për investimet fizike në infrastrukturë që kanë të bëjnë me memorien tonë kolektive. “Unë besoj se është pafalshme që të lejojmë vandalizmin e asaj që është kujtesa jonë, shpirti dhe historia jonë. Ndaj do të doja shumë që të kishim një bashkëpunim për të pasur një inventar të të gjithë objekteve që kanë nevojë për restaurim”, theksoi Veliaj.

Ndërkaq, përfaqësuesit e Komitetit të Veteranëve të Luftës u shprehën të bindur se me Erion Veliajn si kryetar i Bashkisë së Tiranës do të realizohen të gjithë dëshirat dhe aspiratat e veteranëve dhe pjesëtarëve të familjeve të dëshmorëve. Ata vlerësuan punën e kandidatit Veliaj në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, sidomos për reformën e pensioneve, dhe dhanë mbështetjen e tyre të plotë për kandidimin e tij në garën për Bashkinë e Tiranës, si njeriu i duhur për ta çuar kryeqytetin në drejtimin e duhur.

(a.n/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: