TIRANE- Bashkia e Tiranës ka nisur punën për restaurimin e monumentit të Pavarësisë në Parkun “Rinia” për të qenë gati për festat e nëntorit. Kreu i këtij institucioni Erion Veliaj ka inspektuar punimet, si dhe është shprehur se do të punohet me çdo monument deri në festat e Pavarësisë.

Ndërsa ka akuzuar drejtuesit e kaluar të Bashkisë se për 4 vite nuk kanë bërë asgjë për kryeqytetin, kryebashkiaku Veliaj tha se Bashkia e re do të punojë pa pushim për të normalizuar situatën në Tiranë.

Veliaj tha se nga dita e sotme do të procedohen penalisht të gjithë ata që do të kryejnë nevojat personale në vende publike në qytet, si edhe ata që vandalizojnë objektet dhe hapësirat e përbashkëta.
Madje, kryebashkiaku nuk u kursye as për fjalorin, teksa nevojat personale i zëvendësoi me fjalët “çiç dhe kakë”.

“Do të sigurohemi që të gjitha monumentet në Tiranë të restaurohen përpara festave të nëntorit, që të mos i lëmë për ditën e fundit. Gjithashtu, nuk mund të vazhdojë më vandalizimi i objekteve të përbashkëta në Tiranë. Është fyese t’u thuash qytetarëve se ku bëhet çiçi dhe kaka, por për këtë janë vendosur dy tualete publike. Dua të njoftoj se nga sot do të procedohen penalisht ata që kryejnë nevojat personale poshtë urës, apo nëpër monumente, apo në çdo hapësirë të përbashkët. Do të shkojnë në burg të gjithë ata që vandalizojnë objektet publike të qytetit”, tha Veliaj.

Më tej, kryebashkiaku akuzoi ish­kryetarin dhe administratën e tij se e ka falimentuar Bashkinë e Tiranës, dhe se në të mungojnë rreth 700 tonë bronz.

“Bashkinë e kemi gjetur të falimentuar. Nuk ka para as të paguhen punonjësit e saj. Ndërkohë që mungojnë rreth 700 tonë bronz për monumentet. Edhe artistët që kanë bërë Monumentin e Pavarësisë nuk janë paguar ende”, tha kryebashkiaku Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës ftoi qytetarët që të lajmërojnë Policinë e Shtetit ose Policinë Bashkiake në rastet kur konstatojnë akte të dëmtimit të pronës publike.

Ndërsa, theksoi se nga dita e sotme do të ndalohet rreptësisht kushdo që vandalizon punët publike, Veliaj bëri të ditur se nga dita e nesërme do të nisë aksioni për pastrimin e qytetit.

“Kjo është emergjenca më e madhe që patëm edhe gjatë fushatës me qytetarët. Nesër i shpallim luftë zhulit në Tiranë dhe siç shkohet në luftë me ushtri, e gjithë ushtria e pastruesve të qytetit do paraqitet për të filluar këtë betejë nesër në sheshin “Nënë Tereza”. Do doja t`ju ftoja ta monitoroni këtë proces dhe të sigurohemi që luftën me zhulin e fiton qyteti dhe jo plehrat”, tha Veliaj.

Drejtori i Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit, Agim Rada, i cili do të kujdeset për restaurimin e Monumentit të Pavarësisë, bëri të ditur se së bashku me një grup ekspertësh do të punojnë për ta rikthyer atë në gjendjen fillestare. “Kjo është një sipërmarrje shumë e madhe. Me
përkushtimin tonë dhe mjeshtra të vjetër do arrijmë që shumë shpejt të kemi një monument pothuajse të ri”, deklaroi Rada.

(b.e/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb