TIRANË– Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane, Erion Veliaj ka zhvilluar një takim elektoral në Farkë, ku ka bërë thirrje për të votuar, pasi sipas tij edhe një votë mund të sjellë ndryshime. Në takimin përmbyllës në Farkë, Veliaj tha se është i angazhuar për një trajtim të barabartë të banorëve të Tiranës, ndryshe nga e kaluara, kur qeveria, sipas tij i ndante njerëzit.

“Angazhimi ynë që të keni një trajtim të barabartë. Ndërsa deri dje qeveria i ndante njerëzit, qeveria jonë e re, bashkia jonë e re i trajton të gjithë njerëzit njësoj. Ne zgjodhëm që të mos bënim një fushatë me urrejtje e me baltë, zgjodhëm të bënim një fushatë ku programi ynë zgjidh hallet e qytetarëve. Ne program për çdo njësi, sepse ne besojmë që njerëzit nuk duan të dëgjojnë më sherre, shpifje, njerëzit duan zgjidhje konkrete, për vaditjen, bujqësinë, për ujin, për kopshtet, për shkollën, për transportin. Këto janë temat e fushatës sonë. Ata shfrytëzuan 30 ditë fushatën duke shpifur e sharë, ne e shpenzuam duke u marrë me probleme konkrete. Fushata jonë fituese, koalicioni jonë do të fitojë jo sepse jemi më shumë por sepse kemi idetë më të mira”, deklaroi kandidati i majtë.

Sipas tij, koalicioni i majtë është koalicioni më i emancipuar duke sjellë si shembull kushtin për pjesëmarrjen e grave në garë.

“Është e rëndësishme që të çojmë çdo njeri në votime. Të sigurohemi që të gjithë të jenë aty më 21 qershor. Ne kemi për herë të parë gjysmën e Këshillit Bashkiak me zonja e vajza. Jemi sot koalicioni më i emancipuar, nuk ishte rastësi, por zgjidhje që të kishim një pushtet të ndarë mes grave e burrave. PS, ASHE janë drejtimi i duhur”, tha ai.

Veliaj deklaroi se qytetarët janë para dy zgjidhjeve, e para të vazhdojnë kështu siç janë dhe e dyta të bëjnë një zgjidhje që gjërat të ndryshojnë radikalisht. Ai u bëri thirrje qytetarëve të votojnë, pasi edhe një votë e vetme bën diferencën.

“Ka shumë për të thënë për këtë fushatë, ne jemi përpara dy zgjidhjesh, një që gjërat të vazhdojnë kështu siç janë, një zgjidhje që gjërat të ndryshojnë radikalisht. Mos lini njeri pa votuar, një votë bën diferencën. Miqtë e mi, fuqia e një vote është fuqia e çdo qytetari për të bërë ndryshimin në Tiranë”, u shpreh Veliaj.

Kandidati i majtë tha se opozita nuk ka një model qeverisjeje të pushtetit vendor, duke e quajtur kryetarin aktual të bashkisë së Tiranës, “arrogant”. Ai tha se qytetarët kanë nevojë për shërbëtorë në bashki.

“Në bashkitë ku ka drejtuar e djathta, nuk po thotë një model që ne ta imitojmë, nuk ka një model të tillë, sepse vetëm e majta sjell progres, qeveris me përulësi. Ne nuk kemi nevojë për një kryetar bashkie arrogant, që jeton në Holandë. Ne na duhen shërbëtorë në bashki, që i rrinë qytetarëve gati”, deklaroi Veliaj në këtë takim përmbyllës në Farkë, duke shtuar se kjo njësi dhe të tjerat do të zgjedhin drejtimin e duhur.

FJALA E PLOTË

Faleminderit nga zemra që keni ardhur. Falenderoj shumë të zotët e shtëpisë nga Farka, ata që kanë ardhur nga Krraba, Baldushku, Selita dhe sigurisht, nga Petrela. Është një javë e jashtëzakonshme, është java që na çon te fitorja. Sot java, në këtë orë, zgjedhjet do jenë duke përfunduar dhe e gjithë Tirana, nga Krraba deri në Kashar, do të votojë 24 me 0 për ta çuar në drejtimin e duhur. Kemi 7 ditë kohë për të inkurajuar çdo njeri, çdo të ri, çdo të moshuar, çdo burrë dhe çdo grua, që me një votë të bëjmë diferencën, të bëjmë ndryshimin dhe ta çojmë qytetin tonë në drejtimin e duhur. 

Kemi një lajm të shkëlqyer: duke filluar nga java tjetër, Krraba, Bërzhita, Baldushku, Farka, Petrela, do të jenë lagjet e reja të Tiranës. Angazhimi ynë është që të kemi trajtim të barabartë. Nëse deri dje qeveria e kaluar i trajtonte njerëzit me standarde të dyfishta, i ndante në të majtë dhe në të djathtë, në qytetarë e katundarë, në njerëz të periferisë dhe njerëz të bllokut, Qeveria jonë, bashkia jonë e re, i trajton njerëzit të gjithë njësoj, të gjithë si qytetarë të Tiranës, të bashkisë më të madhe që do të ofrojë shërbimet më të mira dhe që do t’i respektojë njerëzit njësoj, pavarësisht nga bindjet politike dhe vendbanimi. 

Miqtë e mi, ne bëmë një zgjedhje të ndërgjegjshme kur e filluam këtë fushatë, zgjodhëm të mos bënim një fushatë me urrejtje, që të mos bënim një fushatë me baltë, që të merrej me familjet e të tjerëve, por zgjodhëm të bëjmë një fushatë ku programi ynë zgjidh hallet e të gjithë bashkisë së Tiranës, të çdo qytetari. Ne zgjodhëm që të kishim një program për çdo njësi, një program për Krrabën, për Petrelën, për Farkën, për Baldushkun, për Bërzhitën sepse ne besojmë se njerëzit nuk duan të dëgjojnë për sherre, për shpifje, nuk duan më politikanë që shajnë familjet, gratë dhe nënat e të tjerëve. Jo! Njerëzit duan zgjidhje konkrete, për vaditjen, për bujqësinë, për shkollën, për kopshtin, për çerdhen, për transportin publik, për grumbullimin e plehrave, për furnizimin me ujë. Këto janë temat e fushatës tonë. Ata shpenzuan 30 ditë fushatë duke sharë, duke shpifur, duke përgojuar çdo grua, çdo nënë, çdo motër, çdo vajzë të qytetit tonë. Ne e shfrytëzuam fushatën duke u marrë me plane konkrete, për halle konkrete, për familje konkrete dhe nevojat konkrete që ka Tirana. Fushata jonë është fushatë fituese, koalicioni ynë do të fitojë jo vetëm pse jemi më shumë, por edhe sepse kemi idetë më të mira. 

Miqtë e mi, është shumë e rëndësishme që në 7 ditët që kanë mbetur të çojmë çdo njeri në votime. Është e rëndësishme që gjithë këtë energji ta çojmë në kutinë e votimit dhe të sigurohemi që të gjithë të jenë aty në datën 21 qershor. Për herë të parë kemi gjysmën e Këshillit Bashkiak me zonja gra dhe vajza të nderuara të Tiranës. Jemi sot koalicioni më i emancipuar sepse nuk ishte rastësi, ishte vendim, ishte zgjedhja jonë, që për herë të parë të kemi një pushtet që është i ndarë në mënyrë të barabartë mes djemve dhe vajzave, mes burrave dhe grave. Ndaj çdo vajzë, çdo grua, çdo nënë, çdo motër, çdo gjyshe, të gjitha zonja të nderuara të bashkisë tonë, që preferojnë një fushatë pozitive dhe jo një fushatë që denigron nënat dhe motrat, vajzat dhe gratë, e kanë drejtimin e duhur: Partia Socialiste e Shqipërisë, Aleanca për Shqipërinë Evropiane, janë drejtimi i duhur.

Miqtë e mi, jemi përpara dy zgjidhjesh: një zgjidhje që gjërat të vazhdojnë kështu siç janë dhe një zgjidhje tjetër që gjerat të ndryshojnë radikalisht; një zgjidhje që thotë, na jepni dhe 4 vjet të tjera si këto 4 vjet që lamë pas dhe një zgjidhje që thotë na jepni 4 vjet totalisht të ndryshme, 4 vjet ku shkohet në punë, 4 vjet ku i shërbehet qytetetit, 4 vjet ku pastrohen mbeturinat, 4 vjet ku vjen uji në çezmë, 4 vjet ku ndihmohet bujqësia, 4 vjet ku ngrohen e ndriçohen shkollat, 4 vjet ku rregullohen rrugët. Kjo është oferta jonë! Ofertë konkrete për 4 vjet shërbim. Zonat e reja, komunat që i janë bashkuar Tiranës kanë një shans historik sepse bëhen lagje të reja të Tiranës dhe transformohen totalisht. Ndaj miqtë e mi, mos lini njeri pa votuar në Krrabë, mos lini njeri pa votuar në Petrelë, në Bërzhitë, në Baldushk dhe këtu në Farkë. Një votë bën diferencën midis një rruge të shkatërruar dhe të një rruge të dëmtuar, midis një qyteti të pistë dhe një qyteti të pastër, midis një shkolle të ngrohtë dhe një shkolle ku thahemi së ftohti, midis një tregu për ushqimet, për bujqësinë, për fermerët dhe një shitje në kushte jashtë higjienës dhe pa standarde në Tiranë.

Miqtë e mi, fuqia e një vote është fuqi e çdo qytetari që do të bëjë ndryshimin në Tiranë. Një votë ka fuqinë ta zgjojë bashkinë nga gjumi katërvjeçar dhe ta çojë në shërbim të qytetarëve katër vitet e ardhshme. Dua të falënderoj të gjithë aleatët tanë, LSI, FRD, PDIU dhe të tjerër, por mbi të gjitha një lokomotivë që është Partia Socialiste e Shqipërisë, forca modernizuese e Shqipërisë, forca që sjell progres sa herë që qeveris. Ne nuk kemi nevojë për një kryetar bashkie arrogant, që jeton në Hollandë; nuk kemi nevojë për kryetar bashkie që gërrhet katër vjet. Jo! Ne na duan shërbëtorë në bashki, djem dhe vajza të afta që i rrinë qytetarit gati, që i rrinë sipërmarrësit gati, që u rrinë fermerëve gati, kjo është bashkia që na duhet. Ne kemi nevojë për të gjithë djemtë dhe vajzat që do të votojnë për herë të parë. Kemi nevojë që vota e tyre e parë të jetë në drejtimin e duhur, ndaj kontaktoni me të gjithë miqtë tuaj, në telefon, në rrjete sociale, në lagjen tuaj, në shkollën tuaj, është e rëndësishme sepse një votë është me vlerë. Nuk ka rëndësi nëse është vota 18-vjeçari apo nëse është vota e 80 vjeçari sepse ndryshimi dhe fuqia e një vote është njësoj si për dikë që është 18 vjeç edhe për dikë që është 80 vjeç.

Ndaj miqtë e mi, mos i paragjykoni njerëzit, mos i ndani njerëzit në të majtë dhe të djathtë. Ne progresistët ju shërbejmë njësoj të majtëve dhe të djathtëve. Ne nuk i shohim njerëzit nga mbiemri. Ne nuk i shohim njerëzit nga prejardhja. Nuk i shohim njerëzit nga tesera e partisë. Ne ju shërbejmë me devotshmëri dhe përulësi pavarësisht nga bindjet. Ndaj në këtë fushatë është jetike që ne të ftojmë çdo njeri të vijë në drejtimin e duhur. Ne edhe të djathtëve u shërbemë më mirë se sa partia e tyre historike. Na duhet që të shtatëfishojmë forcat që të gjithë njerëzit të vijnë në votime të dielën tjetër. Na duhet që të bëjmë çdo telefonatë, të çojmë çdo mesazh për t’u siguruar që asnjë njeri nuk mbetet pa votuar në Krrabë, në Petrelë, në Baldushk dhe këtu në Farkë.

Nuk mund të kemi një bashki me dy standarde, që i ndan njerëzit në ato të bllokut dhe ato të periferisë. Është e rëndësishme që të sjellim të njëjtin standard që çdo prind të jetë i garantuar, që e njëjta cilësi arsimi në shkollën e qendrës së Tiranës do të jetë cilësi arsimi dhe në shkollën e periferisë së Tiranës. E njëjta cilësi e transportit publik në Krrabë dhe në Bërzhitë, në Baldushk dhe në Petrelë, do të jetë e njëjta cilësi si në të gjithë qendrën e Tiranës.

Miqtë e mi, dua t’ju falënderoj me të gjithë zemrën për bujarinë, për energjinë, për pozitivitetin, për fisnikërinë, për faktin që bëmë një fushatë të shkëlqyer pa asnjë incident, që respektuam kundërshtarët, por që treguam që programi ynë është më i miri, është më konkret dhe është i fortë. Ngrini dorën nëse ky është ekipi që doni, nëse ky është programi që doni, nëse ky është plani që do të votoni më datën 21 qershor, nëse ky është ekipi juaj.

Ju falenderoj me gjithë zemër për mbështetjen, për kurajën që na keni dhënë këto ditë, për dashamirësinë, për respektin, për integritetin. Forca, kurajo, edhe 7 ditë ta kthejmë Tiranën në drejtimin e duhur, kthejmë Farkën në drejtimin e duhur, kthejmë Krrabën në drejtimin e duhur, kthejmë Bërzhitën në drejtimin e duhur.

Faleminderit nga zemra të gjithëve!

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: