TIRANË- Erion Veliaj, kandidati i majtë për kryetar të Bashkisë së Tiranës ka vijuar takimet e tij elektorale në zonën e Kasharit, nga ku ka premtuar më shumë shërbim ndaj fshatit dhe qytetarëve pa dallime partiake. Veliaj tha se ASHE ka 24 arsye për të fituar 24 me zero dhe për t’iu shërbyer qytetarëve 24 orë.

“Kemi 24 arsye për të fituar 24 me zero dhe për t’iu shërbyer 24 orë në ditë. Dua t’ju falënderoj për një fushatë pozitive, faleminderit për mikpritjen, bujarinë për kurajën që na dhatë. Ne kemi fituar në 2013 me mbi 70%, dhe ne do të fitojmë në këto komuna që do të jenë lagje të Tiranës. Kundërshtarët tanë nuk menaxhuan dot 4% të territorit, si do menaxhojnë 100% të bashkisë së madhe? Ne na duhet ekipi i Edi Ramës në të gjithë territorin”, tha ai.

Velija theksoi se vendi dhe qytetarët kanë nevojë për 61 kryetarë bashkie që nuk flenë gjumë po i rrinë punës tek koka.

“Na duhen 61 kryetarë bashkie që nuk flenë gjumë, por që i rrinë punës tek koka. Kemi nevojë për shërbime unike, nga blloku, nga qendra deri në periferi. Kemi nevojë për transport publik, kemi nevojë për zgjidhje konkrete, nuk kemi nevojë të zgjidhim kalin e Zenit, nuk kemi nevojë të zgjidhim hallet e SHQUP-it. Jam në këtë betejë për çdo prind, për çdo gjysh dhe gjyshe. Këta bënë me legalizimet në 8 vite më pak se ç’bëmë ne në 1 vit. Të gjithë bashkë. Ka ardhur koha të kthejmë shërbimet nga fshati. Ka ardhur koha që ti trajtojmë të gjithë qytetarët njësoj. Ne ju shërbejmë edhe të djathtëve 5 herë më shumë se i shërbejnë të vetët. Ka ardhur koha që Bashkia e Tiranës tu kthehet qytetarëve”, deklaroi kandidati i ASHE-së.

FJALA E PLOTË

Faleminderit nga zemra Kasharit për këtë mikpritje të shkëlqyer. Faleminderit ju që keni ardhur nga Ndroqi, nga Vaqarri, nga Peza. Entuziazmi juaj është çelësi i fitores tonë, padurimi juaj për ta çuar Tiranën në drejtimin e duhur është arsyeja pse ne do të fitojmë bindshëm. Ne kemi 24 njësi të reja në Tiranë, 24 administrata që do të punojnë për shërbime më të mira, kemi 24 arsye për të fituar 24 me 0 dhe për të punuar 24 orë në ditë për Tiranën tonë. Dua t’ju falënderoj nga zemra për këtë fushatë të shkëlqyer, pozitive, energjike. Faleminderit për frymën e mirë që i dhatë fushatës tonë, për gjithë mikpritjen, bujarinë, mençurinë dhe kurajon që na dhatë në çdo fshat e në çdo komunë. Ne do të fitojmë edhe më thellë në të gjitha komunat, lagjet e reja të Tiranës, që duan shërbimet që premton bashkia e re e Tiranës. 

Miqtë e mi, kundërshtarët tanë e sakatuan Tiranën në 4 vjet, e lanë pis, nuk ndërruan dot një llampë, nuk vunë dot një pusetë dhe ja futën gjumit në Bashki. Ata nuk menaxhuan dot as 4 për qind të territorit, si do menaxhojnë bashkinë e madhe? Ne na duhet ekipi që po menaxhon me sukses Shqipërinë, na duhen 61 kryetarë bashkie që nuk flenë gjumë, që nuk vijnë si turistë, që nuk shmangin qytetarët e tyre, por që i rrinë punës te koka 24 orë në ditë, 7 ditë të javës, 365 ditë të vitit. Kjo është oferta jonë për shërbimet.

Miqtë e mi, ne kemi nevojë për shërbime unike, nga qendra në periferi; kemi nevojë për transport publik në Kashar, në Vaqarr, në Ndroq, në Pezë. Kemi nevojë për zgjidhje konkrete, jo për kalin e Zenit; nuk kemi nevojë të zgjidhim hallet e SHQUP-it, por të zgjidhim hallet e familjeve të gjithë bashkisë së Tiranës. Unë jam në këtë betejë për çdo prind që nuk do që fëmija e tij të shkojë në shkollë ku ulen 3-4 veta në bankë; jam në këtë betejë për çdo gjysh dhe gjyshe që do të ketë një trotuar ku të shëtisë fëmijët e tij, të ketë një lulishte ku të kalojë pasditet, një park ku të kalojë kohën. Jam në këtë betejë për çdo familje që do një treg ku shërbehet me higjenë, për të gjithë ata që e duan Tiranën në drejtimin e duhur, që e duan të pastër, të ndriçuar, me infrastrukturë.

Jemi e vetmja fushatë me një program specifik për çdo zonë, për t’u siguruar që ka transport publik në Kashar, që bizneset që operojnë aty do të punësojnë fillimisht djemtë dhe vajzat e Kasharit. Jam në këtë betejë për ata njerëz që janë transferuar në Kashar për një jetë më të mirë në banesat e reja, por që kanë ngelur pa hipotekë dhe pa legalizim. Në një vit bëmë 30 mijë legalizime, në 8 vjet këta bënë më pak sesa bëmë ne në 1 vit. Ne do të vazhdojmë me legalizimet në Kashar, në Vaqarr, në Ndroq dhe në Pezë, nuk do të ndalemi. Sot në Kashar dhe në gjithë Tiranën, ka 400 pallate pa hipotekë. Është e paarsyeshme, e pandershme, e palogjikshme dhe jonjerëzore që 20 mijë familje në Tiranë dhe në Kashar i shkojnë nga mbrapa një investitori të papërgjegjshëm. Është detyrë e Bashkisë që të bëjë hipotekat për 400 pallatet. 

Është në programin tonë që ne të mos e betonizojmë Kasharin. Ne nuk duam që të vazhdojnë pallatet në Kashar, ne duam që të sjellim gjelbërim në Kashar. Kjo është arsyeja që projekti ynë për Kasharin është parku i liqenit të Kasharit, se Shqipëria dhe Tirana kanë nevojë për parqe, kanë nevojë për gjelbërim. Formula e tyre 4 vjet ishte beton, beton, beton. Formula jonë është gjelbërim, park, lulishte. Për këto ka nevojë Tirana. Ne nuk mund të pranojmë që në Vaqarr të kemi transport publik që s’i përgjigjet nevojave. Nuk mund të pranojmë që Vaqarri, Peza, Ndroqi, të torturohen nga Policia Bashkiake në Tiranë, që kërkon haraç për çdo kaçile, për çdo kokërr vezë, për çdo shishe qumështi. Në Polici Bashkiake do të kemi njerëz të mirë që i shërbejnë fshatit, që i shërbejnë qytetit, që i shërbejnë banorëve të Tiranës.

Miqtë e mi, prej shumë kohësh e kanë diskriminuar fshatin rreth Tiranës, e kanë diskriminuar Pezën, Ndroqin dhe Vaqarrin se votojnë majtas, se janë progresistë. Ka ardhur koha që t’u kthejmë shërbimet dhe investimet nga fshati. Ka ardhur koha që t’i trajtojmë të gjithë qytetarët njësoj. Shërbeva në ministri për të mos i ndarë njerëzit në majtë dhe të djathtë, madje për ata që janë të përndjekur e dinë fare mirë që i shërbyem pesë herë më shumë se sa i shërbyen të djathtët.

Miqtë e mi, ka ardhur koha që në Bashkinë e Tiranës të mos flihet më gjumë, që në Bashkinë e Tiranës të mos ketë gërrhima. Ka ardhur koha që Bashkia e Tiranës të kthehet në punë, t’i kthehet qytetarëve për gjërat që shqetësojnë qytetarët. Këta thonë që kanë vizione të mëdha, se bashkia ka vizionin e tramit, e qilimit fluturues, këta thonë që bashkia ka vizione fantastiko-shkencore, thonë që s’duhet të merremi me probleme të vogla si tregjet, autobusët, shkollat, çerdhet, rrugët, plehrat. Po nëse nuk merremi me këto probleme, që shkaktojnë stresin më të madh, me çfarë duhet të merret bashkia?

Unë jam në këtë betejë që pas fitores tonë të kemi 24 administratorë dhe 24 njësi që i rrinë gati qytetarëve, që nuk u mbyllin derën, por që hapin shërbime për të gjithë qytetin tonë. Nëse mbështesni këtë ide, këtë program konkret për Kasharin, për Ndroqin, për Vaqarrin, për Pezën, ngrini dorën dhe bëhuni pjesë e fitores sonë. Në shtatë ditët e ardhshme kemi nevojë për çdo dorë, kemi nevojë për çdo njeri sepse shtatë ditë bëjnë diferencën. Miqtë e mi, një votë na ndan midis një qyteti të pisët dhe një qyteti të pastër. Një votë na ndan midis shkollave pa ngrohje dhe shkollave me ngrohje. Një votë na ndan nga rrugët e shtruara dhe të ndriçuara nga rrugët skandaloze që kemi sot. Një votë na ndan nga drejtimi duhur dhe nga kundravajtja.

Propozimi ynë për Tiranën është që të gjithë bashkë, në këto 7 ditë, të shkojmë në çdo derë, të takojmë të gjithë miqtë tanë, të gjithë të afërmit tanë dhe t’u themi se për Tiranën ka një drejtim të duhur. Ne do të fitojmë në Kashar, në Pezë, në Ndroq, në Vaqarr. Entuziazmi juaj është çelësi i fitores tonë. Pasioni juaj është inkurajim për punën tonë. Dashuria juaj për komunën, për fshatin tuaj, është dashuria me të cilën do të shërbejmë për Tiranën.

Faleminderit nga zemra! Edhe 7 ditë, forca, kurajo, fitore!

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: